Shtëpia e Ragip Shalës u kthye në vend krimi të shtunën. 68-vjeçari dyshohet që u vra në garazhin e shtëpisë së tij në fshatin Fushticë e Poshtme të komunës së Drenasit, nga familjari i tij, Vehbi Plakaj, 76-vjeçar.
Shala u dërgua menjëherë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran, por mjekët konstatuan se ai kishte ndërruar jetë.
Prokuroria në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit, i cili, përveç veprës penale të vrasjes, dyshohet edhe për manipulim me prova.
“Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se është arrestuar i dyshuari V.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja”, nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe “Manipulimi me prova”, nga neni 389 i KPRK-së. Në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante të Policisë, të cilat gjatë hetimeve fillestare kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës. Gjatë kontrollit, në vendngjarje janë gjetur dhe siguruar një (1) gëzhojë dhe një (1) fishek, ndërsa arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, një pistoletë e tipit “ZORAKI 917-T”, me numër serik A3YZR16YS01201411, është gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e vëllait të viktimës. Sipas informacioneve fillestare, viktima e rastit, R.Sh., ishte dërguar nga familjarët në QKMF Komoran, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar se i njëjti ishte pa shenja jete. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer bastisja e shtëpisë së viktimës, pasi që dyshohet se arma me të cilën është kryer vepra penale ishte në pronësi të viktimës. Prokurori i Shtetit, brenda afateve ligjore, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.P”, thuhet nga Prokuroria.
Por, version ndryshe kanë thënë familjarë të viktimës.
Ndonëse nuk kanë dashur të flasin para kamerave, vëllau i tij tha se nipi i tyre e ka qëlluar aksidentalisht dhe se nuk ka qenë asgjë e qëllimshme, duke shtuar se ia kanë falur 76 vjeçarit.
Për këtë vrasje, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policor të stacionit policor në Drenas.
Pa dhënë shume shpjegime, në komunikatën e IPK-së, thuhet se të njëjtit kanë neglizhuar detyrat e tyre.
“Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Drenas. Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani gjatë hetimeve të IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe ndërmarrjes së veprimeve lidhur me një vrasje që është raportuar dje në orët e pasdites në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit. Bazuar në hetimet fillestare dhe në autorizimet ligjore të IPK-së, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor dhe parandalimit të ndonjë ndikimi të mundshëm në prova apo dëshmitarë , është rekomanduar suspendimi i zyrtarëve në fjalë. Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet nga IPK-ja.
Viktima kishte ardhur në Kosovë për pushime meqë ishte duke jetuar në Suedi.