Një vrasje e rëndë ka tronditur Aitoloakarnania të shtunën, më 17 janar. Presidenti 51-vjeçar i komunitetit Lithovouni, Kostas Alexandris, u ekzekutua me armë zjarri nga një burrë 44-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili dyshohet se i kishte ngritur pritë.
Sipas mediave lokale greke, viktima ishte parë më herët në një kafene të zonës. Më pas, ndërsa po lëvizte me automjetin e tij, kishte vënë re makinën e autorit duke kaluar pranë dhe duke u drejtuar drejt zonës së Agios Andreas. Dyshohet se Alexandris e ndoqi autorin me automjetin e tij.
Gjatë ndjekjes, i dyshuari thuhet se e kuptoi se po ndiqej dhe kreu një kthesë U. Në dëshminë e dhënë para autoriteteve, ai ka pretenduar se pa viktimën duke e kërcënuar nga brenda makinës, çka – sipas tij – e trembi dhe e shtyu të qëllonte i pari. “E bëra unë, sepse nëse nuk do ta bëja, do ta kishte bërë ai”, ka deklaruar autori.
Banorë të zonës kanë deklaruar se viktima dhe autori njiheshin prej kohësh dhe kishin pasur marrëdhënie miqësore, por vitin e fundit mes tyre ishin shfaqur tensione serioze. Një banor i zonës tha se konfliktet kishin nisur pas ndarjes dhe ribashkimit të viktimës me bashkëshorten e tij, duke përmendur edhe përplasje të ashpra dhe kërcënime të ndërsjella me armë gjahu.
Kostas Alexandris përshkruhet nga miqtë dhe familjarët si një njeri i përkushtuar ndaj familjes, i cili kujdesej për nënën dhe vëllain e tij, që kishin nevojë për asistencë të vazhdueshme. “Ai jetonte për familjen. Kujdesej për nënën dhe vëllain, ndërsa gruaja dhe fëmija ishin gjithmonë prioritet për të”, thanë miqtë e tij mes lotësh.
Sipas hetimeve paraprake, autori i kishte ngritur pritë viktimës dhe e kishte qëlluar tri herë ndërsa Alexandris po kalonte me automjetin e tij. Si pasojë e të shtënave, viktima humbi kontrollin e makinës, e cila përfundoi në një përrua pranë rrugës. Trupi i tij u gjet me fytyrën poshtë në sediljen e pasagjerit. Brenda automjetit u gjet edhe një pushkë gjahu, çka tregon se viktima ishte gjithashtu i armatosur. Gjurmë plumbash u konstatuan në pjesën e përparme dhe të pasme të makinës dhe po analizohen nga ekspertët balistikë.
Sipas burimeve hetimore, motivi i vrasjes lidhet me një konflikt personal dhe çështje morale, pasi dyshohet se autori kishte pasur një lidhje intime me bashkëshorten aktuale të viktimës.
Disa orë pas ngjarjes, autori kontaktoi vetë autoritetet dhe u dorëzua, duke deklaruar: “Ejani të më merrni, unë e vrava.” Ai dorëzoi edhe armën e përdorur, një pushkë gjuetie. Më pas u arrestua nga policia e Aitoloakarnanisë dhe u dërgua në Departamentin e Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Mesolongji. Ndaj tij është ngritur procedurë penale për vrasje me dashje dhe shkelje të ligjit për armët.
Autoritetet kanë theksuar se pretendimi i autorit për vetëmbrojtje nuk konsiderohet bindës në këtë fazë dhe po shqyrtohet me kujdes në kuadër të hetimeve, të cilat po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij krimi të rëndë.
Komuniteti i Makrynias mbetet i tronditur nga humbja e kryetarit të tij, ndërsa drejtësia greke vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.