Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot(e hëne) nga Trebinje në Republika Srpska të Bosnje e Hercegovinës se po përballet me, siç tha ai, përpjekje të koordinuara nga shtetet e rajonit për ta rrëzuar nga pushteti, duke akuzuar drejtpërdrejt edhe Kosovën.
Duke folur gjatë hapjes së një spitali të ri në Trebinje, Vuçiq tha se në rajon po zhvillohet një fushatë e gjerë kundër Serbisë.
“Fushata më e ndyrë po zhvillohet kundër Serbisë kudo në rajon, jo vetëm në Prishtinë dhe Zagreb, por edhe në Sarajevë dhe Podgoricë”, deklaroi ai raporton N1 përcjell Dukagjini.
Vuçiq pohoi se Serbia do të vazhdojë të ruajë paqen, por paralajmëroi forcim të mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake të vendit.
“Serbia do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen dhe ne mund ta bëjmë këtë vetëm nëse jemi një pengesë mjaftueshëm e fortë”, u shpreh Vuçiq, duke shtuar se ushtria serbe do të dyfishojë fuqinë e saj në dy vitet e ardhshme.
Ai akuzoi Kroacinë, Kosovën dhe Shqipëria për bashkëpunim kundër Serbisë.
“Kroacia po punon së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë për të na shkatërruar dhe po përbëjnë një kërcënim ushtarak”, tha Vuçiq.
Në fjalimin e tij, ai theksoi se nuk do të lejojë përsëritjen e skenarëve të së kaluarës dhe se, sipas tij, përpjekjet për ta rrëzuar kanë dështuar.
“Vitin e kaluar bëtë gjithçka për të më rrëzuar me ndihmën e një faktori të jashtëm. Dështuat. Unë nuk jam Slobodan Millosheviq”, deklaroi Vuçiq.
Në fund, ai bëri edhe një krahasim me çështjen e Grenlandës, duke ngritur sërish temën e Kosovës.
“Amerika ka filluar të mbrojë interesat e saj. Çfarë do të bëjmë kur të thonë se u duhet Grenlanda? … Do t’i pyesim se çfarë ndodhi me Kosovën”, përfundoi Vuçiq.