Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit nuk kanë qenë opsioni i parë i VV-së, por një domosdoshmëri e krijuar nga bllokimi i opozitës në Kuvend.
“Qysh prej fillimit ne s’kemi qenë për të shkuar në një palë zgjedhje të reja, jo se s’kemi qenë të gatshëm, por sepse kemi menduar që duhet të trajtohen me rëndësi të veçantë çështjet të cilat kanë mbetur pa u votuar… deputetët e partive opozitare madje edhe seancën e fundit refuzuan të ishin aty për të votuar për buxhetin e vendit”, deklaroi ajo.
Sipas saj, opozita nuk ka treguar vullnet për të shtyrë përpara asnjë proces, duke e bërë të pamundur shmangien e zgjedhjeve.
Duke folur për përgatitjet e VV-së, Kryeziu-Hyseni u shpreh e bindur në fitoren e kësaj partie.
“Nuk është që s’kemi qenë gati, por ama jemi më gati se asnjëherë tjetër… për të sjellë një rezultat shumë më të mirë se ai i 9 shkurtit”.
Ajo theksoi se aleanca e partive opozitare kundër VV-së nuk do të ketë sukses.
“Sado që bëhen bashkë këto parti opozitare… kjo do të jetë vetëm një tentativë e kotë, sepse qytetarët do të vendosin.”
Kryeziu-Hyseni beson se Lëvizja Vetëvendosje do të dalë sërish forcë e parë më 28 dhjetor dhe do të vazhdojë formimin e qeverisë së re.
“Besoj që kësaj radhe do ta konfirmojnë si asnjëherë më parë që partia e parë dhe fituese në Kosovë do të jetë Lëvizja Vetëvendosje.”
Ajo shtoi se proceset që opozita nuk i trajtoi me prioritet, VV do t’i çojë përpara pas formimit të qeverisë.
