Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, ndodhet në Kosovë në prag të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Walker të mërkurën ka zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe bashkëpunëtorë.
“Gjatë një bisede të përzemërt, kryeministri u shpreh se është gjithmonë i lumtur ta mirëpresë dhe ta takojë ambasadorin Walker, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për rolin historik që ai ka pasur për popullin e Kosovës në ekspozimin e krimeve gjenocidale të Serbisë, për miqësinë e çmuar që vazhdon dhe për angazhimin e tij të pareshtur në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Ata biseduan gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend dhe për përgatitjet e ceremonisë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila do të mbahet nesër në komunën e Shtimes, ku pritet të marrin pjesë të dy.