Yoweri Museveni fiton zgjedhjet në Ugandë për herë të shtatë

Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, ka fituar zgjedhjet presidenciale dhe mandatin e tij të shtatë me mbi 70% të votave, kanë njoftuar autoritetet shtetërore zgjedhore, në një proces të shoqëruar nga bllokimi i internetit dhe akuza për mashtrim nga opozita.

Kundërshtari i tij kryesor, muzikanti i njohur dhe politikani i ri Bobi Wine, i dënoi rezultatet duke i quajtur “të rreme” dhe pretendoi se anëtarë të stafit zgjedhor ishin rrëmbyer, ndërsa u shënuan edhe parregullsi të tjera serioze gjatë procesit.

Ai bëri thirrje për protesta paqësore për t’i bërë presion autoriteteve që të publikojnë, siç tha ai, rezultatet e vërteta, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.

Wine deklaroi gjithashtu se ishte detyruar të largohej nga shtëpia e tij për t’i shpëtuar arrestimit, pasi forcat e sigurisë kishin bastisur banesën e tij të premten.

Partia e tij politike kishte pretenduar më herët se ai ishte marrë nga shtëpia me helikopter ushtarak.

“Nata e kaluar ishte shumë e vështirë për familjen tonë… Ushtria dhe policia na bastisën shtëpinë. Ata e ndërprenë energjinë elektrike dhe çaktivizuan disa nga kamerat tona të sigurisë,” shkroi Wine në një postim në platformën X.

Ndër parregullsitë e raportuara ishte edhe dështimi i pajisjeve biometrike për identifikimin e votuesve, çka shkaktoi vonesa në votim në qytete – bastione të mëdha të opozitës. Aktivistët pro-demokracisë kishin kërkuar përdorimin e këtyre pajisjeve për të shmangur akuzat për mashtrim dhe manipulim të votës.

Autoritetet zgjedhore më pas iu kthyen listave manuale të votuesve, gjë që, sipas Wine, hapi rrugë për “mbushje masive të kutive të votimit” dhe favorizim të partisë në pushtet. Museveni e mbështeti përdorimin e regjistrit manual të votuesve.

Pavarësisht bllokimit të internetit dhe akuzave për mashtrim, shtatë persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën pasi policia hapi zjarr “në vetëmbrojtje” kundër asaj që i quajti “banditë” të opozitës, një pretendim që u hodh poshtë nga deputeti Muwanga Kivumbi, i cili tha se forcat e sigurisë vranë 10 persona në zonën e tij.

Uganda cilësohet si vend “jo i lirë” nga organizata monitoruese Freedom House, e cila thekson se edhe pse zgjedhjet mbahen rregullisht, ato nuk konsiderohen të besueshme.

Museveni, 81 vjeç, ka qenë president i vendit për 40 vjet, duke u renditur si udhëheqësi i tretë jo-mbretëror me shërbimin më të gjatë në botë.

 

Të fundit nga rubrika