Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se po e shtyn Ukrainën drejt një “katastrofe humanitare”, gjatë një takimi bilateral me kryeministrin britanik, Keir Starmer, në Londër, raporton BBC.
Gjatë deklaratës së tij, Zelensky falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që nga fillimi i luftës, duke theksuar se ndihma britanike është “veçanërisht e rëndësishme tani”.
Ai nënvizoi se Rusia nuk po tregon asnjë shenjë për t’i dhënë fund agresionit.
“Putin nuk po dëshiron ta ndalë luftën”, ka thënë Zelensky, duke paralajmëruar për përkeqësimin e situatës humanitare në Ukrainë.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik, Keir Starmer, rikonfirmoi “angazhimin absolut” të Britanisë për të përballuar agresionin rus dhe për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e sovranitetit të saj.
Ai lavdëroi “guximin dhe vendosmërinë” e presidentit ukrainas, ndërsa theksoi se Putin “po tregon një mungesë absolute vullneti për t’u angazhuar”.
Starmer theksoi gjithashtu se Britania do të vazhdojë të mbështesë Kievin në rritjen e kapaciteteve ushtarake, përfshirë “aftësitë me rreze të gjatë veprimi”, si dhe në sigurimin e garancive afatgjata të sigurisë.