Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka hedhur poshtë akuzat e Rusisë se Ukraina ka tentuar të sulmojë rezidencën e presidentit Vladimir Putin në Novgorod. Ai i ka cilësuar këto pretendime si “gënjeshtra”, duke theksuar se Moska po përgatit terrenin për të justifikuar sulme të mundshme ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev.
Zelenskyy u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të reagojnë ndaj kërcënimeve të Rusisë në përputhje me rrethanat, duke e konsideruar pretendimin e fundit si përpjekje për të minuar përparimin në bisedimet e paqes që kanë vijuar pas takimit të tij me Donald Trump.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi të hënën se forcat ukrainase kanë ndërmarrë një sulm ajror gjatë natës së 28-29 dhjetorit në drejtim të rezidencës presidenciale në Novgorod. Sipas tij, Ukraina përdori 91 dronë me rreze të gjatë veprimi, të cilët u shkatërruan të gjithë nga mbrojtja ajrore ruse.
Lavrov paralajmëroi se një sulm i tillë “nuk do të mbetet pa përgjigje”, duke e cilësuar si një veprim të pamatur nga ana e autoriteteve në Kiev.