Zelensky në Bruksel kërkon më shumë armë për t’u mbrojtur nga Rusia

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje të enjten liderëve të BE-së në një samit në Bruksel që të furnizojnë Ukrainën me armë më shpejt, përpara se Rusia të mbledhë forcat e saj për sulme të reja

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duartrokitet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel derisa liderët e BE-së mblidhen për një foto familjare përpara një samiti në Bruksel, më 9 shkurt 2023. Foto AFP

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Bruksel për të vazhduar kërkesën për armë më të avancuara nga aleatët evropianë, duke i thënë Parlamentit Evropian (PE) se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”.

Vizita e 9 shkurtit në Bruksel ishte e fundit në turneun e papritur të Zelenskyt në Evropë, prej ku ai kërkoi më shumë armë, pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

Po ashtu, vizita e tij erdhi pasi forcat ruse thuhet se shtuan sulmet në lindje të Ukrainës përpara një ofensive të pritshme në prag të përvjetorit të luftës.

Edhe pse Zelensky nuk ka gjasa të largohet nga Brukseli me premtime të menjëhershme për më shumë ndihmë ushtarake, vizita do t’i japë atij mundësinë për të folur me të 27 udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjatë një samiti të planifikuar më vonë gjatë ditës.

Gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian, presidenti ukrainas ka falënderuar BE-në për ndihmën që blloku ka dhënë që kur Rusia kishte filluar fushatën agresive të pushtimit të vendit të tij.

Zelensky gjatë fjalimit në Parlamentin Evropian në Bruksel. Foto 9 shkurt 2023, Reuters

“Ne po mbrohemi në fushëbetejë, ne ukrainasit, së bashku me ju … kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”, ka thënë ai, raporton The Guardian.

Javëve të fundit, Ukraina ka marrë premtime nga vendet perëndimore se do t’i sigurojnë tanke luftarake, por ka bërë thirrje për armatim edhe më të avancuar, duke përfshirë avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë. Zelensky pritet gjithashtu të adresojë nevojën për fillim të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE gjatë samitit.

“Ukraina do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, një Ukrainë fitimtare”, ka shtuar Zelensky në Parlamentin Evropian.

Kryetarja e Parlamentit të BE-së Roberta Metsola, teksa iu drejtua Zelenskyt, ka thënë se “ju duhet të fitoni dhe tani vendet anëtare të BE-së duhet të konsiderojnë hapin e ardhshëm të shpejtë, sigurimin e sistemeve me rreze të gjata dhe avionëve që ju nevojiten për të mbrojtur lirinë tuaj”.

Gjatë vizitës së tij në Parlamentin britanik më 8 janar, Zelensky u bëri thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin avionë luftarakë.

“Unë ju bëj thirrje juve dhe botës, me fjalët e thjeshta por të rëndësishme – avionë luftarakë për Ukrainën, krahë për lirinë”, ka thënë Zelensky. “Ne e dimë se liria do të fitojë, ne e dimë se Rusia do të humbasë”.

Presidenti ukrainas ka filluar një vizitë të papritur në Evropë më 8 shkurt, me vizita në Britani dhe Francë, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus, pothuajse një vit më parë.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika