Zelensky: Putini ka nisur Luftën e Tretë Botërore, Ukraina nuk heq dorë nga territori

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dërguar një mesazh të prerë sfidues, duke deklaruar se Ukraina nuk do ta humbasë luftën dhe se fitorja është vetëm çështje kohe.

Në një intervistë të dhënë për BBC në selinë qeveritare në Kiev, Zelensky u shpreh kategorikisht kundër çdo marrëveshjeje armëpushimi që do ta detyronte Ukrainën të tërhiqej nga territore strategjike që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë, pavarësisht humbjeve të mëdha në njerëz.

Sipas tij, kërkesa e presidentit rus, Vladimir Putin, që Ukraina të heqë dorë nga 20% e rajonit lindor të Donetskut, si dhe territore në jug – në Kherson dhe Zaporizhzhia – nuk është “kompromis për paqe”, por dobësim i shtetit ukrainas.

“Unë nuk e shoh këtë thjesht si tokë. E shoh si braktisje – dobësim të pozicioneve tona dhe braktisje të qindra mijëra njerëzve tanë që jetojnë atje. Një tërheqje e tillë do ta përçante shoqërinë tonë”, tha ai.

Zelensky paralajmëroi se një lëshim i tillë vetëm do t’i jepte Putinit kohë për t’u rigrupuar.

“Ai ka nevojë për një pauzë. Partnerët tanë evropianë thonë se Rusisë mund t’i duhen tre deri në pesë vjet për t’u rikuperuar. Sipas mendimit tim, atij mund t’i mjaftojnë vetëm disa vjet. Dhe pastaj? Ne nuk e dimë ku do të shkojë më tej, por që do të vazhdojë, kjo është fakt.”

Presidenti ukrainas shkoi edhe më tej, duke thënë se Putini tashmë ka nisur Luftën e Tretë Botërore.

“Besoj se Putini e ka nisur tashmë. Pyetja është sa territor do të mund të marrë dhe si ta ndalojmë. Rusia dëshiron t’i imponojë botës një mënyrë tjetër jetese.”

Sa i përket qëndrimit të SHBA-së, Zelensky iu përgjigj indirekt presionit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka kërkuar që Ukraina të ulet shpejt në tryezën e negociatave. Diplomacia perëndimore ka sinjalizuar se Trump e sheh lëshimin territorial si çelës për një armëpushim të shpejtë.

Por Zelensky mbetet i palëkundur.

“A do të humbasim? Sigurisht që jo, sepse po luftojmë për pavarësinë tonë”, tha ai, duke theksuar se fitorja nënkupton jo vetëm fundin e vrasjeve dhe rikthimin e jetës normale, por edhe ndalimin e ambicieve të Putinit.

Ai pranoi se rikthimi i të gjitha territoreve brenda kufijve të vitit 1991 nuk është i mundur menjëherë për shkak të mungesës së armëve dhe kostos së lartë njerëzore, por e cilësoi atë si objektiv të padiskutueshëm.

“Kthimi në kufijtë e vitit 1991 është jo vetëm fitore, por drejtësi. Çfarë është toka pa njerëzit? Asgjë.”

Zelensky theksoi se ndalimi i Rusisë sot është fitore jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë botën, duke paralajmëruar se, sipas tij, Kremlini nuk do të ndalet vetëm me Ukrainën.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika