Zelensky: Rusia kreu sulm masiv ndaj Ukrainës, mbi 600 dronë dhe 30 raketa gjatë natës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se sulmet ajrore ruse gjatë natës kanë pasur në shënjestër sektorin energjetik, infrastrukturën civile dhe “praktikisht të gjithë infrastrukturën e jetës së përditshme” në vend.

Sipas Zelenskyt, Rusia ka përdorur më shumë se 600 dronë dhe mbi 30 raketa gjatë bombardimeve, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e tre personave, përfshirë edhe një fëmijë katërvjeçar.

“Alarmet ajrore vazhdojnë të jenë aktive në pjesën më të madhe të Ukrainës. Ndërkohë, të gjitha shërbimet përkatëse janë angazhuar për t’u përballur me pasojat e sulmeve,” deklaroi presidenti ukrainas.

Ai theksoi se goditjet e kryera pak para Krishtlindjeve, në një kohë kur qytetarët “duan thjesht të jenë me familjet e tyre, në shtëpi dhe të sigurt”, përbëjnë “një sinjal jashtëzakonisht të qartë për prioritetet e Rusisë”.

“Putini ende nuk mund ta pranojë se duhet të ndalë vrasjet. Kjo do të thotë se bota nuk po ushtron mjaftueshëm presion ndaj Rusisë,” shtoi Zelensky.

Një nga viktimat është raportuar në rajonin qendror të Zhytomyr-it. Kreu i administratës rajonale, Vitaly Bunechko, njoftoi se një vajzë katërvjeçare ka ndërruar jetë pasi u plagos rëndë gjatë sulmeve ajrore ruse.

“Ajo u dërgua me urgjencë në spital. Mjekët luftuan për jetën e saj, por fatkeqësisht nuk arritën ta shpëtojnë,” tha Bunechko, duke shtuar se pesë persona të tjerë janë plagosur nga sulmet./BBC

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika