Zelensky shkarkon ministrat e akuzuar për përfshirje në korrupsion

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar dy ministra të qeverisë së tij, të akuzuar për përfshirje në korrupsion në sektorin e energjisë, ndërsa zemërimi i publikut po rritet.

Ministrja e Energjisë, Svitlana Grynchuk, dhe ministri i Drejtësisë, Herman Halushchenko, dorëzuan dorëheqjet e tyre të mërkurën, duke mohuar çdo shkelje.

Zelensky gjithashtu kërkoi sanksione personale ndaj mikut dhe ish-partnerit të tij të biznesit, Timur Mindich, i cili dyshohet si organizatori i skemës.

“Duhet të ketë integritet maksimal në sektorin e energjisë, në të gjitha proceset,” tha Zelensky.

“Mbështes çdo hetim të autoriteteve ligjzbatuese dhe anti-korrupsion. Është e patolerueshme që, ndërkohë që vendi po përballet me sulme ruse dhe ndërprerje energjie, të ekzistojnë edhe skema korrupsioni”.

Hetimi nga Zyra Kombëtare Anti-Korrupsion (NABU) ka zgjatur 15 muaj dhe përfshin kompaninë shtetërore bërthamore Energoatom.

Skema, sipas NABU-së, detyronte kompanitë kontraktore të paguanin ryshfet 10-15% për të mos u bllokuar pagesat ose për të ruajtur statusin e furnizuesit.

Mindich, themelues i kompanisë së mediave Kvartal 95, ku Zelensky ka qenë bashkëthemelues, dyshohet se ka ikur jashtë vendit para se të kryhej bastisja në apartamentin e tij në Kiev.

Ai është një nga shtatë personat e dyshuar për përfshirje në skemën korruptive prej 100 milionë dollarësh.

Audio-përgjime të publikuara nga NABU tregojnë diskutime për ryshfete dhe përdorimin e pseudonimeve; Halushchenko ishte i koduar “Profesor”, ndërsa Mindich “Karlson”. Një tjetër person i profilit të lartë, Oleksiy Chernyshov, ish-zëvendëskryeministër, dyshohet për përfitime të paligjshme prej gjysmë milioni dollarësh.

Ky skandal vjen pas një ligji të kontestuar të miratuar nga Zelensky në korrik, i cili dobësonte fuqitë e NABU-së dhe prokurorisë së specializuar anti-korrupsion, duke shkaktuar protesta masive. Pas presionit publik, ligji u ndryshua për të rikthyer pavarësinë e këtyre institucioneve.

Hetimi i Energoatom vijon, ndërsa çështjet e tjera të dyshuara për përfitime të paligjshme dhe ndikim politik mbeten nën shqyrtim./TheGuardian

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika