“Shpresojmë që Presidenti Trump të na dëgjojë,” tha Volodymyr Zelensky në një fjalim të drejtpërdrejtë drejtuar Shteteve të Bashkuara në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Sipas tij, Vladimir Putin është thelbi i problemit për gjetjen e paqes në Ukrainë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
“Ai nuk mund ta imagjinojë jetën pa pushtet,” tha Zelensky, përpara se t’i drejtohej turmës me ‘mund ta imagjinoni Putinin pa luftë, jini të sinqertë’.
Zelensky, mes tjerash, u shpreh se asnjë njeri në Ukrainë nuk beson se ai do të na lërë ndonjëherë, sepse nuk mund të heqë dorë nga ideja e luftës.
“Për këtë arsye, duhet të ketë garanci të vërteta sigurie për Ukrainën dhe për Evropën, të forta të cilat duhet të vendosen para përfundimit të luftës. Shpresojmë që Presidenti Trump të na dëgjojë dhe shpresojmë që Kongresi i SHBA-së të na dëgjojë,” u shpreh Zelensky në fjalimin e tij të drejtpërdrejtë ndaj Amerikës.
Zelensky thekson se Vladimir Putin është në gjendje të shmangë sanksionet përmes bashkëpunëtorëve në mbarë botën, si Koreja e Veriut dhe Kina.
“Për më tepër, Putin ende ka garanci për stabilitet financiar – dhe një pjesë e madhe e tyre ndodhet këtu, në detet evropiane. Tankerat ruse të naftës ende lëvizin lirshëm përgjatë brigjeve të Evropës në Detin Baltik dhe Detin e Veriut,” tha Zelensky.
Ai thotë se së fundmi ka diskutuar këtë çështje me liderët përkatës evropianë, veçanërisht për të përditësuar ligjislacionin mbi tankerat rusë, në mënyrë që ata jo vetëm të mund të ndalohen, por – më e rëndësishmja – të bllokohen.