Analisti politik, Adrian Zeqiri ka deklaruar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos përfshirë Listën Serbe në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit është pjesë e një narracioni politik.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e ka krijuar këtë situatë për të futur partitë opozitare në një “grackë”, ndërsa mekanizmat e drejtësisë, si PZAP dhe Gjykata Supreme, kanë vlerësimin përfundimtar.
“Edhe LVV-ja e di që KQZ nuk është organ që e vlerëson mbi meritën e certifikimit apo moscertifikimit do të thotë në rast se Lista Serbe do të duhej të largohej prej skenës politike në Kosovë janë mekanizmat tjerë të drejtësisë, të gjykatave të Prokurorisë që do të duhej të merrnin masat e duhura dhe që kjo të ndodhte në mënyrë të rregullt si në çdo shtet demokratik. Nuk mundet KQZ si organ politik përbëhet prej përfaqësuesve të partive politike, nuk mundet që të dalë kundër dy organeve në këtë rast PZAP e më pas Supremes”, ka deklaruar Zeqiri në emisionin FIVE.
“LVV e ka kriju kështu situatën është narracion politik që ë shfrytëzon për me i vendos në grackë partitë e opozitës në të cilën edhe po bien, sepse me mbrojt kushtetutshmërinë nuk do të thotë me mbrojt Listën Serbe… Kjo është një grackë për të krijuar narracion politik, që të thotë “ja ju e sollët Listën Serbe”, të cilën partitë tjera si duken po kanë frik dhe po ia lënë këtë luftë organeve të drejtësisë”, ka theksuar tutje ai.
Vendimi i 31 janarit i KQZ-së shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke përfshirë listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç Listës Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan për përjashtimin, dy kundër nga LVV-ja, dhe pjesa tjetër abstenuan.