Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se mbajtja e mundshme e zgjedhjeve nuk e heq përgjegjësinë e partive politike për të bashkëpunuar në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës në Kuvend, ajo ka theksuar se si parti po kërkojnë unitet dhe bashkëpunim politik në këtë proces kushtetues.
“Edhe ata që mendojnë e punojnë për zgjedhje duhet ta dinë se zgjedhjet nuk na e heqin përgjegjësinë për të bashkëpunuar për të njëjtat tema, herët apo më vonë. Në këto kushte, më mirë tani sesa më vonë”, ka thënë Nagavci.
Ajo shtoi se zgjedhja e presidentit kërkon pjekuri politike dhe përgjegjësi institucionale nga të gjithë deputetët, duke theksuar se procesi duhet të udhëhiqet nga fryma e bashkëpunimit.
“Sot kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim. Para nesh është një proces i rëndësishëm kushtetues dhe nga secili deputet kërkohet seriozitet dhe përgjegjësi. Ky proces duhet të udhëhiqet nga fryma e bashkëpunimit”, u shpreh ajo.
Nagavci theksoi se përgjegjësia politike nuk mund të shtyhet apo të relativizohet, duke shtuar se qytetarët presin vendimmarrje nga përfaqësuesit e tyre.