Presidentes Vjosa Osmani, e cila e synon edhe një mandat tjetër 5 vjeçar në krye të shtetit, mandati i përfundon më 4 prill.
Presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu më 4 mars, jo më vonë se 30 ditë, para përfundimit të mandatit të saj.
Se çfarë qëndrimi ka ndaj kandidaturës së Osmanit, partia që i ka 57 deputetë në legjislaturën e re, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk është e qartë.
Përkundër interesimit të TV Dukagjini drejtuar në adresën e disa deputetëve por edhe te zëdhënësi të partisë, e paqartë mbetet se me kë prej partive synojnë bashkëpunim për emrin e presidentit.
Menjëherë pas zgjedhjeve, Albin Kurti kishte deklaruar se për çështjen e presidentit ose presidentes do të duhet të bisedojnë edhe me opozitën, por që paraprakisht duhet të ulet të bisedojnë edhe me presidenten aktuale.
Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini nuk kanë shfaqur shenja se do ta përkrahin kandidaturën e Osmanit, duke preferuar emër tjetër, që sipas tyre është konsnsual dhe sipas tyre mbi partitë politike.
“Nuk e shohim si diçka neve na obligon as të rrijmë në sallë dhe as që t’i jepim mbështetje, por ne si deputet do ta kryejmë obligimin tonë duke votuar ose duke marr një qëndrim politik, normalisht që si parti politike në këtë moment është e rëndësishme me përmend që me thanë që për aq sa kemi përgjegjësi duhet të jemi përgjegjës në kuptimin e marrëveshjeve politike në kuptimin e përgjegjësisë tonë që na kanë dhënë qytetarët, edhe qëndrimi jonë është që nuk kemi asnjë obligim që të e mbështesim Vjosa Osmanin të vetëdijshëm që ajo gjatë këtyre pesë viteve nuk i ka shërbyer interesit të përgjithshëm”, deklaroi në Debat Plus, deputetja e LDK-së, Jehona Sadriu-Lushaku.
Në anën tjetër, Bernard Nikaj, i cili është sekretar për marrëdhënie me jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila do t’i ketë 22 deputetë, ka deklaruar të enjten se PDK e voton një president të ri dhe konsensual, vetëm me një marrëveshje politike.
Në anën tjetër, analisti politik, Belgzim Kamberi thotë se është e rëndësishme të kuptohet nëse Lëvizja Vetëvendosja është e gatshme të bëjë kompromis me partitë tjera, dhe të shihet se sa larg është i gatshëm të shkojë ish-blloku opozitar për t’i mbrojtur qëndrimet e tyre.
“Po natyrisht që në pozitën e tij që është z. Kurti e ka mundësinë që të ndërtojë një lloj kërcënimi nëse mund ta quajmë ndaj opozitës për ta ndërtuar pozicionin paraprak negociues për presidentin dhe tash edhe kjo është legjitime nga perspektiva politike. Çështja tjetër është se si do të sillet opozita ndaj qëndrimit të z. Kurti, pra opozita a do të frikësohet të shkojë në zgjedhje a do të tregojë një lloj frike dhe në këtë drejtim t’ia pranojë z. Kurti propozimin e tij për president pa marrëveshje me opozitën…”, tha Kamberi.
Sipas Kushetutës në dy rundet e para të votimit për Presidentin nevojiten 2/3 e votave të Kuvendit, pra 80 sosh.
Në rast se zgjedhja e kandidatit dështon në të dyja rundet, në tentativën e tretë mund të zgjidhet me 61 vota, por të pranishëm për kuorum duhet të jenë 80 deputetë.
Në rast se deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.