Zgjedhje nën hije dhune në Serbi: Regjimi i Vuçiqit akuzohet për intimidim dhe kapje të procesit

Zgjedhjet lokale të mbajtura dje (e diele) më 29 mars në Serbi janë shoqëruar me tensione të larta, incidente dhe një klimë frike që po ngre shqetësime serioze për standardet demokratike në vend, duke reflektuar edhe një herë natyrën e regjimit të Aleksandër Vuçiqit.

Sipas vëzhguesit Pavle Dimitrijeviq nga organizata monitoruese CRTA, atmosfera në qendrat e votimit ishte e mbushur me rrezik për përshkallëzim të konfliktit, ndërsa prania e grupeve të organizuara pranë vendvotimeve krijoi presion të drejtpërdrejtë mbi qytetarët raporton Danas përcjell Dukagjini.

Ai theksoi se policia nuk ndërmori veprime konkrete për identifikimin apo ndjekjen e sulmuesve, por u kufizua vetëm në ndarjen fizike të palëve, duke lënë të paprekur përgjegjësinë penale.

“Nuk kemi informacion që ndonjë sulmues është ndjekur penalisht. Në disa raste, mes sulmuesve janë identifikuar edhe persona të lidhur me institucione publike”, deklaroi ai.

Këto zhvillime janë tregues i qartë se në Serbi zgjedhjet u shndërruan në proces të kontrolluar dhe të rrezikshëm për qytetarët, ku dhuna dhe presioni politik u dëshmua se zëvendësojnë konkurrencën fer.

Sipas raportimeve, në disa lokacione janë vërejtur grupe të organizuara aktivistësh të partisë së Vuçiqit SNS, të cilët kanë qëndruar pranë vendvotimeve duke krijuar tension dhe dyshime për ndërhyrje në proces.

Ndërkohë, Dimitrijeviç thekson se nuk ka pasur raste të dokumentuara të sulmeve nga qytetarët ndaj këtyre grupeve, çka e bën edhe më shqetësuese mungesën e reagimit institucional.

“Problemi nuk është vetëm dhuna, por cikli i pandëshkueshmërisë. Nëse nuk ka përgjegjësi, kjo vetëm sa do të rrisë dhunën në zgjedhjet e ardhshme”, paralajmëroi ai.

Një tjetër zhvillim që ka ngritur alarm është ndërhyrja e forcave policore në ambientet e opozitës në ditën e zgjedhjeve, një veprim që shihet si presion politik dhe mesazh intimidues për kundërshtarët e pushtetit.

“Kjo krijon përshtypjen se SNS mund të bëjë gjithçka, pa asnjë kornizë ligjore”, u shpreh Dimitrijeviq.

Zgjedhjet në Serbi po perceptohen gjithnjë e më shumë si proces me “rrezik të lartë” për qytetarët, ku mungesa e besimit në institucione dhe në sundimin e ligjit po shtyn qytetarët drejt vetëorganizimit.

Këto zhvillime në kontekstin politik rajonal janë alarmante për stabilitetin demokratik në Ballkanin Perëndimor, duke dëshmuar se praktikat e kontrollit politik dhe manipulimit elektoral vazhdojnë të dominojnë në Serbi.

Në vend që të jenë një festë e demokracisë, zgjedhjet e djeshme në Serbi u shndërruan në një tregues të degradimit institucional dhe të përforcimit të një sistemi ku pushteti mbetet i pakontrolluar.

Të fundit nga rubrika