Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ: Vetëm 33 për qind e kandidatëve për deputetë janë gra

Nga gjithsej 1,180 kandidatë për deputetë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, 789 apo 66.86 për qind janë burra, ndërsa 391 apo 33.13 për qind janë gra.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë një diskutimi të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ambasada e Francës, me fokus pjesëmarrjen e grave në proceset zgjedhore.

Radoniqi theksoi se fuqizimi i rolit të grave në jetën demokratike përbën një nga shtyllat kryesore të zhvillimit institucional dhe shoqëror në vend.

Angazhim më të madh për fuqizimin e grave në institucione kërkuan edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, si dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk.

Po ashtu, Radoniqi prezantoi edhe statistikat për përbërjen gjinore të trupave të administrimit zgjedhor.

Ai bëri të ditur se nga 10,606 komisionerë të Këshillave të Vendvotimeve, 6,843 apo 64.53 për qind janë burra, ndërsa 3,763 apo 35.47 për qind janë gra.

Sipas tij, përqindje të ngjashme të përfaqësimit gjinor janë shënuar edhe në zgjedhjet lokale të mbajtura dy muaj më parë, ku nga 14,353 anëtarë të trupave zgjedhore, 9,077 apo 63.24 për qind ishin burra dhe 5,276 apo 36.76 për qind gra.

Radoniqi sqaroi se roli i KQZ-së në përfaqësimin gjinor shtrihet në dy dimensione kryesore, zbatimin dhe garantimin e kuotës minimale prej 30 për qind për përfaqësim gjinor në listat e kandidatëve, si dhe përfaqësimin gjinor në trupat e administrimit të zgjedhjeve.

“Ndryshe nga listat e subjekteve politike, KQZ nuk ka obligim të drejtpërdrejtë ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30 për qind në përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve. Megjithatë, përmes akteve nënligjore, kjo kuotë është përcaktuar si standard në kuadër të politikave pozitive dhe masave afirmative, me qëllim të avancimit të përfaqësimit gjinor dhe forcimit të barazisë në administrimin zgjedhor”, ka deklaruar Radoniqi.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika