Prokurori i Shtetit ka konfirmuar angazhimin e tij të plotë për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimin e integritetit të procesit zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën, më 28 dhjetor.
Përmes një njoftimi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se janë realizuar të gjitha përgatitjet e nevojshme për të parandaluar dhe adresuar çdo tentativë të keqpërdorimit apo manipulimit të votës gjatë procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit, rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të jenë të angazhuar drejtpërdrejt gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.