Prokurori i Shtetit ka njoftuar se deri në këto momente nuk ka ndaluar asnjë person për veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Për zgjedhjet lokale të kësaj të diele rreth 100 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë punuar dhe ende janë duke punuar me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, njofton Dukagjini.
Megjithatë, gjatë ditës së sotme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm dy prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit.
“Rasti i parë është iniciuar në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu, për veprën penale: “Cenim i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar në Kllokot – Gjilan, për veprën penale: “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.