Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se të gjitha vendvotimet janë mbyllur në kohë dhe nuk do të ketë zgjatje të votimit, pasi gjatë ditës nuk janë raportuar ndërprerje.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse të gjitha komunat kanë arritur cenzusin e nevojshëm sipas Kodit Zgjedhor. Në disa zona, sidomos në pjesën perëndimore të vendit ku interesimi ka qenë i ulët, mund të jetë e nevojshme përsëritja e procesit zgjedhor.
Në Saraj dhe Çair ka pasur më shumë pjesëmarrje krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Dalje e lartë është regjistruar edhe në komunën e Çashkës, raporton AlsatMk.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, dalja e votuesve në nivel vendi deri në orën 17:00 ka qenë 39,86%.
Zgjedhjet e sotme lokale janë të teta që nga pavarësia e vendit në vitin 1991. Në to marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatura të pavarura. Votimi zhvillohet në 3.474 qendra votimi për 309 kandidatë për kryetar komunash dhe 576 lista për këshillat komunale, me gjithsej 10.490 kandidatë. Qyteti i Shkupit ka më shumë kandidatë për kryetar bashkie – 16.
Ndër partitë shqiptare në garë janë koalicioni VLEN dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).
Deri në orën 17:00 kanë votuar 39,6% e qytetarëve në Maqedoni të Veriut