Ndonëse patën kohë mjaftueshëm, opsionet e paraqitura për votim të mërkurën për Kryekuvendare nuk patën votat e mjaftueshme.
Albulena Haxhiu jo e as Donika Gërvalla. Ndonëse mundësia e kandidimit të tyre nuk ka përfunduar aty meqë aktgjykimi i Kushtetueses i ka dhënë hapësirë partisë fituese të kandidojnë deri në tri herë të njëjtin person.
“Kemi respektim procedural por injorim të një pjese tjetër të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila i bën thirrje partisë fituese të zgjedhjeve që ndërmjet kompromisit dhe marrëveshjeve me subjekte tjera politike t’i siguroj numrat”, ka thënë analistit Afrim Kasolli.
Madje sipas Afrim Kasollit sjellja e partisë së parë të mërkurën nuk ishte pro zgjidhjes së situatës politike në vend.
“Me nominimin e Donika Gërvallës, LVV-ja sikur ka tentuar ta përkeqësoj më teper skenën politike sesa t’i kontriboj zgjidhjes së kësaj krize e cila na ka kapluar tash e sa kohë”, ka shtuar Kasolli.
Interesi për bllokadë është kryefjala edhe për Ehat Miftarajn e Institutit të Kosovës për Drejtësi.
“Propozimi i Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës pa një konsultim paraprak dhe pa një informim paraprak, me një mungesë të theksuar të transparencës, njëfarë mënyre të jep përshtypjen që VV-ja më shumë ka interes bllokadën sesa konstituimin e Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë”, ka thënë Miftaraj.
Seanca e radhës për të tentuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër.