Një zjarr ka shpërthyer në ambasadën amerikane në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, pas goditjes nga dy dronë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Arabisë Saudite.
Raportohet se zjarri ka qenë “i kufizuar” dhe dëmet materiale janë të vogla.
Dëmtime dhe tym i madh u panë në zonën diplomatike të qytetit, ku ndodhen ambasadat dhe rezidencat e diplomatëve të huaj.
Banorët raportuan se dëgjuan shpërthime të forta dhe panë tym që ngrihej mbi lagjen diplomatike.
Ngjarja ndodhi derisa Irani po vijon fushatën e tij kundër shteteve të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, me sulme me raketa dhe dronë si hakmarrje për goditjet ajrore amerikano-izraelite.
Ambasada amerikane në Riad ka lëshuar një njoftim sigurie, duke u këshilluar qytetarëve amerikanë të “qëndrojnë menjëherë të mbyllur në vendin e tyre”.
Në postimin e saj në X, ambasada tha se njoftimi për mbrojtje vlen për qytetet Xhiddah, Riad dhe Dhahran, dhe këshilloi të kufizohet çdo udhëtim jo i nevojshëm drejt instalacioneve ushtarake në rajon.
Zyrtarët sauditë konfirmuan se goditja nga dy dronë shkaktoi zjarr, ndërsa raportimet e Fox News tregojnë se ambasada ishte e zbrazët gjatë sulmit dhe nuk pati të lënduar.
Ndërsa, sip raporton The Guardian, Departamenti i Shtetit i ka bërë thirrje amerikanëve të largohen menjëherë nga më shumë se 11 vende të Lindjes së Mesme për shkak të sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit.