Zjarret që kanë përfshirë zonën e Kalasë në Delvinë kanë marrë përmasa të rënda, duke lënë pas një bilanc të rëndë dëmesh në fshatin Senicë. Deri tani, 11 banesa janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa kisha 200-vjeçare e Shën Dhimitrit, e klasifikuar si monument kulture i kategorisë së parë, është djegur tërësisht.
Flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe për shkak të erës së fortë, duke e bërë të pamundur kontrollin nga forcat zjarrfikëse në kohë reale. Terreni i thepisur dhe rrugët e ngushta të fshatit kanë penguar seriozisht ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke vonuar aksionin për shuarjen e zjarrit.
Për të ndihmuar në përballimin e flakëve, janë aktivizuar edhe dy helikopterë, të cilët kanë kryer ndërhyrje nga ajri që prej së enjtes. Megjithatë, ndërhyrjet ajrore janë ndërprerë përkohësisht për shkak të errësirës dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.
Edhe pse operacionet tokësore kanë vijuar, zjarri është riaktivizuar gjatë natës, sërish për shkak të erërave të forta, duke vënë në rrezik banesa të tjera në zonë.
Sipas kryeplakut të fshatit Senicë, situata mbetet alarmante. Janë djegur gjithashtu sipërfaqe të mëdha pyjore, ndërsa kërcënimi i flakëve është zhvendosur edhe në drejtim të fshatrave Vergo, Kopaçez dhe Palavli, ku banesat janë në rrezik të drejtpërdrejtë.
Fshati Senicë, i cili dikur numëronte rreth 100 shtëpi, është sot i thuajse i braktisur, me vetëm 10 banesa ende të banuara, pasi shumica e popullsisë është shpërngulur drejt Greqisë.
Autoritetet vendore dhe shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri të lartë, ndërsa përhapja e zjarreve vijon të jetë një kërcënim serioz për jetën, banesat dhe trashëgiminë kulturore të zonës.