Një zjarr ka shpërthyer në orët e hershme të mëngjesit në një fabrikë stiropori në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme që, sipas pronarit, arrijnë mbi 400 mijë euro.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se një punëtor është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për shkak të problemeve me frymëmarrjen, si pasojë e tymit.
“Sipas informatave të grumbulluara nga dëshmitarët dhe pronari i fabrikës, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një makineri që përdoret për thithjen e pluhurit. Dëmi material i shkaktuar nga zjarri vlerësohet të jetë mbi 400,000 (katërqind mijë) euro, sipas deklarimit të viktimës. Një punonjës i fabrikës është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, pasi kishte probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit, por sipas mjekut kujdestar nuk ka pësuar lëndime të dukshme”, ka deklaruar ai për Dukagjinin.
Sipas tij, bazuar në informacionet fillestare nga pronari dhe dëshmitarët, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një makineri që përdoret për thithjen e pluhurit brenda fabrikës.
Policia ka njoftuar se rasti është raportuar rreth orës 03:00, ndërsa njësitë policore dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë, duke arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin në një kohë të shkurtër.
Rasti është iniciuar si “incident zjarri”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve janë në zhvillim.