ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit ndaj Kadri Veselit, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, teksa ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes

Kadri Veseli





Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kërkesa i është drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera.

“Që nga vendimi më i fundit, më 26 shtator 2022, nuk ka pasur ndonjë rrethanë ndryshimi që do të sugjeronte një përcaktim tjetër dhe Veseli nuk bën asnjë parashtresë me argumentin se paraburgimi nuk është më i garantuar”, thuhet në parashtresë të prokurorisë, shkruan BetimipërDrejtësi.

“Mbetet rasti që Veseli është në dijeni për akuzat e rënda kundër tij, për shumicën dërrmuese të provave në bazë të tyre dhe për mundësinë e një dënimi të konsiderueshëm nëse shpallet fajtor. Që nga vendimi i fundit i paraburgimit, shtimi i dëshmitarëve të rinj nga ZPS-ja, zbulimi i dosjeve të mëdha të dokumenteve shtesë në përmbushjen e afatit të 30 shtatorit, si dhe depozitimi i një liste shtesë të Rregullës 102(3), i japin Veselit një pasqyrë të mëtejshme për rastin kundër tij”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ndikimi i Veselit mbetet i pazvogëluar që nga vendimi i fundit i paraburgimit, gjë që mund ta ndihmojë atë në shmangien e procedurave të DhSK-së.

“Vazhdon të ekzistojë rreziku që Veseli të pengojë procedurat. Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjetur më parë se Veseli ka ndërhyrë, përmes një ndërmjetësi, në një çështje që përfshin DhSK-në, dhe vazhdon në bazë të pozicionit të tij të mëparshëm dhe ndikimit të vazhdueshëm, të jetë në gjendje, p.sh., të ketë akses në informacion ose të marrë mbështetjen e të tjerëve. Gjykatësi i procedurës paraprake gjithashtu ka gjetur më parë se Shërbimi Informativ i Kosovës është angazhuar në ndërhyrjen e dëshmitarëve derisa Veseli ishte në krye të tij”.

Ndryshe, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.

Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’u rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.

“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në Anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së u kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.

“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Një pjesë e madhe e këtyre anekseve janë të redaktuara, që i bie se publiku i gjerë nuk ka qasje në shumë prej detajeve, siç janë emrat e shumë personave të përmendur.

Në aneksin 7 të aktakuzës së publikuar flitet edhe për një rast që supozohet se ka ndodhur në një konvikt në Komunën e Gjilanit.

Sipas këtij aneksi, viktima supozohet të ketë qenë civil dhe jo në uniformë ushtarake.

“Në fund të korrikut 1999, [REDAKTUAR] u dërgua me veturë nga vendi i tij i punës në Konviktin e Gjilanit/Gnjilane. 2 Në konvikt, ai u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe kartën e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit. 4 Atij nuk iu tha arsyeja e ndalimit apo arrestimit dhe nuk u akuzua për kryerjen e ndonjë krimi”

Për këto aneksa të reja të aktakuzës, Dhomat e Specialzuara kanë caktuar katër seanca ku të akuzuarit do të deklarohen për fajësinë.

Deri më tash asnjë nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale nuk e ka pranuar fajësinë, të gjithë, pa përjashtim, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.





Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika