Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, tashmë kryenegociator i dialogut me Serbinë ka reaguar ndaj deklaratave të ish-presidentes Vjosa Osmani për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Ai kujtoi se mes vendosjes së masave dhe heqjes së tyre kishte pasur dhjetëra takime dhe bisedime diplomatike, si dhe se procesi ishte përshpejtuar nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale dhe tranzicioni paqësor i pushtetit në katër komunat në veri.
“Masat e BE-së nuk janë hequr vetëm sepse ish Presidentja ka folur.
Janë dhjetëra takime mes vendosjes së masave të padrejta dhe heqjes së tyre.
Sikur të ishte çështje fjalësh, shpresoj që ish Presidentja i kishte hequr menjëherë, e jo më shumë se dy vite më pas. Masat e padrejta të vendosura nga ish-emisari nga dosja e Epstein-it u hoqën kur pati zgjedhje të reja dhe tranzicion paqësor të pushtetit në katër komunat në veri.
E pse pati pjesëmarrje në zgjedhje dhe tranzicion paqësor?
Sepse kur i bojkotuan zgjedhjet, nuk u kthyen më pa zgjedhje të reja. E kur u kthyen jo vetëm që pati tranzicion paqësor, por edhe respekt për flamurin e Republikës së Kosovës, që valëvitet në çdo komunë sot.
Edhe Kryeministri ka folur, por më shumë ka vepruar”, ka shkruar Zulfaj në Facebook.
Për sanksionet Osmani ka folur sonte në T7, ku ka thënë se ishte hisedare në heqjen e masave.
“Sanksionet kanë qenë tërësisht të padrejta që i janë vendosur Kosovës përkundër faktit se sulmi atë ditë më 2023 kanë ardhur nga bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi..
Pastaj kanë qenë keqkuptime të Qeverisë me aleatët tanë. Ne kemi arritur që t’i eliminojmë ato keqkuptime duke diskutuar me aleatët tanë dhe më dhjetor janë hequr ato masa”, ka thënë Osmani.