Një grup i lartë zyrtarësh ushtarakë të SHBA-së ka mbërritur në Ukrainë për të diskutuar përpjekjet për të ndalur luftën me Rusinë.
Sipas njoftimit të ushtrisë amerikane, delegacioni, i udhëhequr nga Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, takoi të enjten Kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko, ndërsa pritet të takohet më pas me Presidentin Volodymyr Zelensky.
Raporte të mediave ndërkombëtare të mërkurën nxorën në pah një plan të mundshëm 28-pikësh për paqe, i përgatitur nga i dërguari i ish-presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe i dërguari special rus Kirill Dmitriev.
Planifikimet thuhet se kërkojnë nga Ukraina dhënien e territoreve të kontrolluara në Donbas, reduktimin e madh të forcave të saj ushtarake dhe dorëzimin e pjesës më të madhe të armatimeve. As SHBA-ja, as Rusia nuk kanë konfirmuar zyrtarisht planin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shkroi në X se “paqe e qëndrueshme kërkon të dyja palët të bëjnë sakrifica të vështira por të domosdoshme”, duke shtuar se SHBA po konsultohet me të dyja palët për ide të mundshme për përfundimin e konfliktit.
Ekspertët evropianë dhe udhëheqësit ukrainas kanë paralajmëruar se një plan i tillë, pa pjesëmarrjen e tyre, mund të favorizojë Rusinë.
Kaja Kallas, shefe e politikës së jashtme të BE-së, tha se çdo plan i suksesshëm duhet të ketë mbështetjen e ukrainasve dhe europianëve, ndërsa Ministri francez i Jashtëm, Jean-
Noël Barrot, deklaroi se “Ukrainasit nuk duan asnjë formë kapitullimi”.
Vizita e Driscoll-it u zhvillua ndërkohë që Ukraina po përballet me sulme të vazhdueshme ruse. Të mërkurën, të paktën 26 persona humbën jetën nga një sulm raketor dhe me dron në qytetin perëndimor të Ternopilit, dhe 22 të tjerë janë të zhdukur.
Pas takimit me zyrtarët amerikanë, Kryeministrja ukrainase nuk komentoi planin e përfolur, por theksoi se vizita ofron “mundësinë për përfaqësuesit e administratës amerikane të vlerësojnë situatën në terren dhe pasojat e agresionit rus”.
Ukraina dhe aleatët perëndimorë kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm, por Moska e ka refuzuar, duke ripërsëritur kërkesat që Ukraina i konsideron kapitullim të de-fakto. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se kushtet për një marrëveshje paqe nuk kanë ndryshuar që nga viti 2024, duke përfshirë dorëzimin e territoreve, kufizimin e ushtrisë ukrainase dhe neutralitetin e vendit.
Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se i dërguari special për Ukrainën, Keith Kellogg, do të largohet nga posti i tij në janar, pas një periudhe të zakonshme shërbimi që kërkon miratimin e Senatit./BBC