Dy zyrtarë publikë të lartë amerikanë kanë dhënë përkrahje për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Gjenerali i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mick Kicklighter, në një bisedë për televizionin Dukagjini ka treguar se si ishte takuar para gati një dekade me ish-Presidentin Hashim Thaçi.
”Jam takuar me Presidentin Thaçin para 7 vitesh në Uashington. Kishim diskutim të mirë, me rëndësi, dhe isha i impresionuar me aftësinë e tij dhe angazhimin e tij. Jam ndjerë i nderuar të flas me të. Kur dëgjova që ishte në burg për një kohë të gjatë, Ahmeti dhe unë u takuam, biseduam dhe u lutëm për të. Është një situatë e trishtueshme që unë nuk e kuptoj sepse ka shumë për të kuptuar për gjithë këtë situatë dhe shumë të vërteta që janë lënë anash. Këta burra duhet të kthehen sa më parë në familjet e tyre dhe tek shteti i tyre, ata janë të gjithë liderë të jashtëzakonshëm”, ka thënë Mick Kicklighter – Gjeneral i pensionuar i ushtrisë amerikane.
Pos tij, edhe Tony Hall – pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan që nga viti 1979 deri në 2002, ka folur për televizionin rreth procesit në Dhomat e Specializuara për Kosovë.
”Unë kurrë nuk kam parë një gjykatë të tillë që i mban njerëzit e tillë në burg për 5 vjet dhe ende nuk ka marr një vendim. Drejtësia ndoshta mund të vonohet por e vërteta nuk mund të mposhtet. Nuk është e drejtë ndaj këtyre burrave që janë atje qe 5 vjet dhe është e pabesueshme kjo që ndodh”, ka thënë Tony Hall – Ish-kongresit amerikan.
Ai thotë se në një shoqëri demokratike, nuk ka dëgjuar në karrierën e tij të gjatë politike e diplomatike që njerëzit të mbahen për 5 vjet në burg pa ndonjë vendim. E ka quajtur këtë të pakuptimtë e të padrejtë.
Ndërkohë, oficeri ushtarak Kicklighter – që gjithashtu ka shërbyer edhe si Inspektor i Përgjithshëm në Departamentin e Mbrojtjes nën Administratën Bush në vitin 2007, thotë se për të i gjithë ky proces është me të meta.
”Drejtësia e vonuar është padrejtësi. Gjithashtu, transparenca dhe e vërteta janë tejet me rëndësi dhe njerëzit janë të pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta. Këta njerëz janë në burg për më shumë se 5 vjet, këtë nuk arrij ta kuptojë”, ka thënë Mick Kicklighter – Gjeneral i pensionuar i ushtrisë amerikane.
Ish-kongresisti Hall problematike veçanërisht e sheh rrjedhën dhe prejardhjen e shumë prej akuzave.
”Ajo çka më brengos mua më së shumti është se shumë nga akuzat kanë ardhur dhe janë mbështetur nga Putini dhe Rusia, gjithashtu nga grupe që nuk janë të mira për shtetin e Kosovës. Për mua e gjithë është e njëanshme dhe shumë kundër shtetit dhe nuk është e drejtë. Nuk kam parë ende që e vërteta dhe transparenca të jenë bërë publike dhe kjo më brengos”, ka thënë Tony Hall – Ish-kongresit amerikan.
Ndërkohë, ish-ministri e ish-ambasadori Ahmet Shala, që ishte pikë reference ndërmjet këtij ekipi dhe ish-krerëve të UÇK-së, beson se përfundimi i këtij gjykimi do të jetë në favor të tyre.
“Përmes këtyre lutjeve, këtyre veprimeve, të kemi ndikim te ata te cilët me apo pa vetëdije janë futur në një kurth, e cila është kurdisur në mënyrën më djallëzore nga qarqe anti-shqiptare, anti-amerikane dhe anti-demokratike e të cilat dihet prej kujt vijnë”, ka thënë Ahmet Shala – Ish-ambasador i Kosovës në Japoni.
Kjo është java e fundit kur pritet që të mbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërkaq vendimi pritet më së voni në fillim të verës.
