Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se ka bërë koalicioni me “Listën për Familjen”.
Lajmi u bë i ditur në një konferencë për media nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Hamza tha se qëllimi i këtij koalicioni është të kontribuojë në përmirësimin e situatës në vend në fusha kyçe si ekonomia, drejtësia, arsimi, shëndetësia, menaxhimi i emergjencave dhe siguria.
“Sot kam kënaqësinë t’ju njoftoj që me z. Rrahmani dhe anëtarë të tjerë të listës Familja kemi bërë marrëveshje për koalicion dhe bashkëpunim para dhe paszgjedhor. Qëllimi i këtij koalicioni është që të bashkojmë forcat në funksion të asaj që të bëjmë progres dhe ta ndryshojmë gjendjen në vend, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, emergjencat, sigurinë dhe, normalisht, duke pasur kujdes edhe për mirëqenien dhe familjen.
Jam i bindur që ky është një koalicion i qëndrueshëm dhe se do të kemi sukses. Normalisht që do të kemi pjesëmarrje nga lista Familja në listën zgjedhore të PDK-së. Është vlerë e shtuar çdo kandidat për deputet që do të jetë në listën e përbashkët”, ka thënë Hamza.
