Këtë të diele janë bërë fiks 10 vite, që prej kur në Kuvendin e Kosovës u votua në favor të ndryshimit të një amendamenti kushtetues, duke hapur rrugën për krijimin e Gjykatës Speciale.
Vendimi u miratua me 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, ç’ka i mundësoi Qeverisë të procedonte më tej me dy projektligje të tjera të lidhura me këtë gjykatë.
E këto dhjetë vite, qëllimi dhe pretendimet e kësaj gjykate po thuhet se kanë ndryshuar shumë.
Të arrestuar nga kjo gjykatë janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndaj të cilëve është ende duke vazhduar procesi gjyqësor.
Ndërkaq, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është dënuar me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i kësaj gjykate, ndërsa plot 26 vite iu dhanë edhe ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, më vonë, Apeli ia ka ulur dënimin në 22 vjet burgim, e pastaj në 15 vite.
Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë edhe Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, të cilët udhëhiqnin me Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë.
Raportet e Dick Martyt për trafikim organesh nuk janë më në asnjë nga hetimet e krerëve të UÇK-së, për çka edhe kjo gjykatë kishte qëllim në krijimin e saj.
Përveç jotransparencës dhe zvarritjes së procesit, sipas avokatit Ardian Bajraktari, kjo gjykatë nuk ka arritur të argumentojë as pikën kryesore të aktakuzës.
“Sipas asaj që kemi parë deri më tash, në bindjen time, me theks të veçantë sa i përket asaj që njihet si ‘Ndërmarrje e përbashkët kriminale’, që është pika kyçe e aktakuzës, prokuroria nuk ka arritur të argumentojë një gjë të tillë. Nga shtatori e tutje presim dëgjimin e dëshmitarëve të ftuar nga ana e palës mbrojtëse dhe gradualisht po shkojmë drejt përfundimit të këtij procesi”, ka deklaruar Ardian Bajraktari, avokat.
Nga shtatori pritet dëgjimi i dëshmitarëve të ftuar nga pala mbrojtëse dhe me përfundimin e tyre shkohet drejt përmbylljes së këtij procesi.
Megjithatë, nga OVL-UÇK nuk kanë besim që vendimi i Gjykatës Speciale do të jetë i drejtë, pas asaj që ka ndodhur deri më tani.
“Për ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës, jo që nuk presim diçka të mirë nga kjo gjykatë – e them me sinqeritetin më të madh – nuk duam të jemi aq shumë skeptikë, por shumë frikësohemi për një verdikt final ndaj krerëve të Ushtrisë së Kosovës”, ka deklaruar Gazmend Syla, OVL-UÇK.
Syla thotë se në këtë çështje ka pasur edhe ndërhyrje të shumta, çka më së miri e ka konfirmuar pranimi i provave nga Serbia, për të cilat reagoi edhe Ministria e Drejtësisë.
Shoqatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar një protestë popullore më 7 gusht, në ora 17:00, në shenjë përkrahjeje për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se protesta do të mbahet për shkak të, siç e ka quajtur ai, “papërgjegjësisë së institucioneve të vendit”, si dhe për faktin që Gjykata Speciale po shkel të gjitha të drejtat e të akuzuarve.
Ai theksoi se “kjo gjykatë është e papranueshme për popullin e Kosovës”, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestë.