Autoritetet kanë arrestuar 109 persona në lidhje me dyshimet për manipulim të votave në komunën e Prizrenit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se ky manipulim ka përfshirë katër partitë kryesore në vend, të cilat sipas tij “i kanë zgjedhur të preferuarit e tyre duke menduar se do t’i iknin drejtësisë”.
Kryeziu ka theksuar se manipulimi i votave do të kishte qenë i pamundur pa kompromis mes komisionerëve të vendvotimeve.
Ai ka bërë të ditur se nga 115 persona të ndaluar fillimisht, 6 janë liruar, ndërsa 109 janë mbajtur në ndalim për veprat penale të falsifikimit të rezultateve, presionit, kanosjes dhe dhënies e marrjes së ryshfetit.
“Ditë më parë kemi paralajmëruar se manipulimi i votave dhe rezultateve zgjedhore është krim dhe do të ndëshkohet pa kompromis. Sot, secili prej atyre që ka guxuar të fusë duart në votat dhe vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit. Dua ta bëj të qartë për të gjithë: këtu nuk bëhet fjalë për numërimin e votave të subjekteve politike që ka ndodhur më 28 dhjetor, atëherë kur kemi qenë të angazhuar të gjithë prokurorët e policia, por bëhet fjalë për manipulim brenda llojit, aty ku katër subjektet më të mëdha politike i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe kanë menduar se larg syve të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë mund t’ia dalin pa të keqe.
Mund të kuptoheshin gabimet e vogla të dhjetëra votave, edhe pse KQZ nuk ka ndonjë marzh të tolerancës, këtu nuk bëhet fjalë as për dhjetëra as për qindra, por bëhet fjalë për shumë mijëra vota të manipuluara dhe të falsifikuara. Ka kandidatë që vetëm për kandidatët e subjekteve të caktuara politike kanë nga 100, 200, 500 e deri mbi 6 mijë vota. Pra, deri mbi 6 mijë vota janë të falsifikuara për një kandidat”, tha ai.
Sipas tij, vetëm në rajonin e Prizrenit janë manipuluar mijëra vota, duke përfshirë edhe raste ku në një vendvotim numri i manipuluar ka arritur 2,444 vota. Në total, janë shtuar 40,497 vota, ndërsa janë hequr 27,520 vota, duke rezultuar në një diferencë prej 68,017 votash të manipuluara.
“Bëhet fjalë edhe për situate ku vetëm në një vendvotim. Për me pas të qartë gjithçka ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit, vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri në 2 mijë e 444 vota. Pra, vetëm në një klasë sa kanë votuar qytetarët janë manipuluar 2 mijë e 444. Por mund ta them se në regjionin tonë është vetëm një vendvotim, vetëm një klasë që ka dalë e pakeqpërdorur, e që ka dalë zero”, shpjegoi ai.
