Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Bolonja të Italisë, ku një 12-vjeçar ka humbur jetën dje pasdite, pasi ka rënë nga çatia e një pallati tetëkatësh në rrugën “Via Piave”, ndërsa po luante me shokët e tij.
Siç bëjnë me dije mediat italiane, Louis Pisha dhe pesë shokët e tij ishin ngjitur në çati për të bërë foto, kur befas 12-vjeçari shqiptar ra mbi një dritare transparente plastike, e cila u thye papritur.
Ai ka mbetur i varur për pak çaste dhe miqtë i shkuan në ndihmë, por përpjekjet e shokëve për ta mbajtur nuk mjaftuan dhe Louisi rrëshqiti poshtë, duke rënë nga tetë katet e pallatit.
Ndihma e shpejtë e emergjencës dhe spitalit nuk arriti ta shpëtonte jetën e tij, pasi traumat ishin shumë të rënda.
Policia ka marrë në pyetje shokët dhe po hetojnë ngjarjen.
Prindërit e Louis, me origjinë shqiptare, qëndruan të shokuar poshtë pallatit pas marrjes së lajmit.
Kryebashkiaku i Bolonjas, Matteo Lepore, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen.
“Marrim me dhimbje lajmin për ndarjen tragjike të një djali 12-vjeçar. Bashkohemi me dhimbjen e familjes dhe shokëve. Si Bashki, jemi në dispozicion për çdo nevojë.”, tha ai./tvklan