Me përfundimin e muajit mars, ka përfunduar edhe afati për deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, nga zyrtarët që punojnë në institucione publike.
E për periudhën sa ishte i hapur afati ligjor, pasurinë e deklaruan mbi 9 mijë e 800 zyrtarë, ndërkohë që 140 zyrtarë publik, ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Ne kemi filluar tashmë procedurat për të inicuar shqiptimin e gjobave, brenda ditës së sotme do dërgojmë kërkesat për të verifikuar se sa është shuma e pagës së tyre bazë që gjobat të shqiptohen sa më shpejtë, sepse gjoba automatike që lidhen me kalimin e afatin është 30% të pagës së tyre. Të gjithë këta e kanë një afat shtesë 15 ditore, që të kryejnë këtë obligim, gjatë kësaj periudhe nuk ka masa tjera ndëshkuese, nëse vonohen më shumë se 15 dite bëhen subjekt të kallzimeve penale në prokurori”, ka deklaruar Yll Buleshkaj – Drejtor i Agjencisë për parandalimin e Korrupsionit.
Formularin për deklarimin e pasurisë tha ta ketë plotësuar edhe ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla.
Gërvalla u përball me akuza në gjykatë për mosdeklarim të pasurisë, por tha se nuk kishte hatërmbetje me Agjencionin që dërgoi kallëzim penal për të në prokurori.
“Si ministre e drejtësisë kam vizituar shume prej mekanizmave që kujdesen për luftimin e korrupsinit për reformat në fushën e drejtësisë…Është kryer, pse duhet të e qortojë drejtorin që bënë punën e tij, unë kam nevoj që qortimi i takon tjetër kujt për keqpërdorim të detyrës në raport me aktakuzën time, por nëse ky agjencion bënë punën e tij kam fjalë vetëm të mira e jo qortime”, ka deklaruar Donika Gërvalla – Ministre e Drejtësië.
E në GLPS thonë se duhet të ketë masa më të ashpra ndëshkuese për ata zyrtarë që nuk e deklarojnë pasurinë.
“Çështja e mosdeklarimit ose e deklarimit të rrejshëm të pasurisë është vepër penale për të gjithë ata zyrtarë që nuk e deklarojnë ose deklarojnë rrejshëm pasurinë dhe sipas kodit penal, kjo vepër penale mund të dënohet nga 3 deri 5 vite burgim, sot kemi parë në përgjithësi nga monitorimi i sistemit të drejtësisë për këto vepra penale ka pasur dënime të ulta nga ana e sistemit të drejtësisë”, ka theksuar Liridon Salihu – Hulumtues në GLPS.
Bazuar në ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurive dhe Dhuratave, presidenti, deputetët e Kuvendit, ministrat, zv ministrat, gjyqtarët prokurorët e shumë kategori të tjera janë të detyruar të deklarojnë pasurinë, e së fundmi këtij procesi i nënshkrohen edhe mjekët, profesorët e universiteteve publike e doganierët.