Të paktën 22 palestinezë janë vrarë nga një seri sulmesh ajrore izraelite në pjesët veriore dhe qendrore të Gazës, njoftuan autoritetet mjekësore dhe civilë të Hamasit.
Mes të vdekurve është një komandant i lartë i grupit.
Sipas Hamasit, janë goditur pesë vende, përfshirë edhe shtëpi banimi. Një automjet u përfshi nga zjarri pas një sulmi në Rimal, Gaza City, ku pesë persona humbën jetën.
Tre të tjerë u vranë pranë një xhamie në Deir al-Balah. Në Nuseirat janë goditur dy shtëpi, duke shkaktuar dhjetë viktima, dhe tre të tjerë u vranë në një shtëpi në pjesën perëndimore të Gaza City.
Ushtarët izraelitë thanë se sulmet janë hakmarrje për një incident të mëparshëm, kur sipas tyre një “terrorist i armatosur” sulmoi ushtarët pas kalimit të “linjës së verdhë”, një kufi që ndan zonat nën kontroll të plotë izraelit. Hamas e mohoi këtë. Të dy palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit që u ra dakord gjashtë javë më parë.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, mbi 310 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se “Hamas shkel armëpushimin, duke dërguar terroristë në territorin e Izraelit për të sulmuar ushtarët e IDF. Si përgjigje, Izraeli eliminoi pesë terroristë të lartë të Hamasit.”
Hamas reagoi duke e cilësuar veprimin izraelit si një “shkelje të hapur” të armëpushimit dhe bëri thirrje për ndërhyrje urgjente nga ndërmjetësit dhe SHBA, duke paralajmëruar se Izraeli po përpiqet të imponojë “realitete të reja në terren”.
Sulmet izraelite në Gaza nisën pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku humbën jetën rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Që nga ajo kohë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, kanë vdekur mbi 69,500 persona, përfshirë 280 gjatë armëpushimit.