23 vjet nga masakra e familjes Berisha në Suharekë

Të shtunën e 26 marsit janë bërë 23 vjet qëkur paramilitarët serbë kishin masakruar 52 anëtarë të familjes Berisha nga komuna e Suharekës.

Më 1999, familja Berisha ishte dëbuar nga shtëpia. Ata ishin ndaluar pranë picerisë “Kalabria”, në të cilën forcat serbe i kishin detyruar të futeshin të gjithë brenda.

Ishte, pikërisht, kjo kafiteri në të cilën do të ndodhte masakra.

Pas ekzekutimit, ndonëse mendohej që të gjithë ishin të vdekur, ngase edhe ishin plagosur nga breshëria e plumbave, forcat serbe ngarkuan trupat e tyre në një kamion dhe u nisën në drejtim të Prizrenit.

Por, të gjallë mbetën Gramoz Berisha, që në atë kohë ishte veç tetë vjet, nëna e tij, Vjollca Berisha dhe gruaja e axhës, Shyhrete Berisha.

Të mbijetuarit e masakrës, Gramoz Berisha me nënën e tij, Vjollca Berisha

Guximi për të kërcyer nga kamioni u bë rrugë e shpëtimit.

Që të tre, gjatë transportit të viktimave kishin kërcyer nga automjeti.

Ndërkaq, më 26 mars të vitit 2021, me rastin e shënimit të përvjetorit të kësaj masakre, lokali në të cilin kishte ndodhur ngjarja ishte shndërruar në muze.

Muzeu i martirëve të familjes Berisha, në Suharekë

Qëllimi i këtij muzeu është ruatja e fakteve të gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë.

Por, njëkohësisht, të njëjtat fakte të mbesin të freskëta për drejtësinë.

Ndërkohë, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në një postim në Facebook, teksa ka përkujtuar ngjarjen tragjike të familjes Berisha, ka publikuar disa fotografi të gjësendëve të fëmijëve.

Të njëjtat, tashmë gjenden në ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, e cila është krijuar në kujtim të një mijë e 133 fëmijëvë të vrarë apo të zhdukur gjatë luftës.

Këpucët e Redonit

Gjatë sulmeve të forcave serbe, ata vranë Kushtrimin dhe Redonin dhe më pas Altinin.

Çanta dhe librat e Altinit

“Altini ishte nxënës i klasës së katërt dhe çanta e tij mban librat dhe fletoret sipas orarit të ditës së fundit që ai i përdori. Këpucët i përkisnin Redonit i cili ende nuk kishte mbushur dy vjet, ndërsa biçikleta kishte qenë një dhuratë nga prindërit për Kushtrimin, të cilën më pas e kishte ruajtur vëllai i tij”, thuhet në shkrimin e këtij fondi.

Biçikleta e Kushtrimit

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten e 25 marsit, me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se Serbia duke vrarë fëmijë, gra e të moshuar kishte dëshmuar qëllimin shfarosës.

“Nesër, bëhen 23 vjet nga masakra e tmerrshme ndaj familjes Berisha në Suharekë, ku pushteti i atëhershëm serb dëshmoi qëllimin e vet shfarosës duke vrarë në mënyrën më brutale fëmijë, gra e të moshuar. Të gjithë të rënët janë kujtimi ynë i përhershëm, por edhe forca dhe vullneti për të ecur përpara”, ka shkruar Osmani.

Pak vjet më parë, disa prej trupave të anëtarëve të familjes Berisha janë gjetur.

Tashmë janë rivarrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake.

Por, ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e kësaj familje.

Nga 52 anëtarë të vrarë, 24 prej tyre mbesin akoma të pagjetur, përfshirë këtu edhe motrën e Gramozit, Dafinën, e cila në atë kohë ishte vetëm 16 vjet.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me ofertë deri në 50 %...

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po vjen me edicionin e dytë me radhë, andaj një festë e madhe po përgatitet për të...

Osmani: Protesta e 1 Tetorit ndryshoi rrjedhën e historisë dhe...

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se protesta e 1 Tetorit 1997 ishte moment kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Osmani...

Rutte merr udhëheqjen e NATO-s, e shpall Ukrainën prioritet kryesor

Mark Rutte, ish-kryeministër i Holandës, është emëruar Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, duke zëvendësuar Jens Stoltenberg, i cili udhëhoqi Aleancën për një...

Të fundit nga rubrika