Gjithçka filloi më 28 Nëntor të vitit 1443.
Në këtë ditë, heroi kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ngriti flamurin e shqiponjës dykrenare mbi Kalanë e Krujës, duke e çliruar atë nga pushtimi osman.
Duke qëndruar i palëkundur ndaj forcave osmane, më 3 nëntor Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. Ai u bë një qëndrestar i vërtetë, i cili e mbajti larg pushtuesin osman deri në ditën kur vdiq, më 17 janar 1468.
Duhet të kalonin 469 vjet për ta parë Shqipërinë sërish të lirë, larg zgjedhës osmane.
Nëntori i dytë
Edhe pse i dyti me radhë, më i rëndësishmi për shqiptarët mbetet 28 Nëntori i vitit 1912.
Ismail Qemali, duke ndjekur gjurmët e historisë, ngriti flamurin me shqiponjën dykrenare dhe shpalli Shqipërinë të pavarur në Vlorë.
Flamuri, i qëndisur nga Marigona, simbol i lirisë dhe i ëndrrave për një të ardhme, valvitej mbi ballkonin e shtëpisë së Qemailit, duke dhënë fillimin e historisë moderne të Shqipërisë.
Me pushkë dhe penë, shqiptarët shënuan lindjen e shtetit të tyre të lirë.
28 Nëntori i Jasharit
Përtej festës kombëtare të pavarësisë, kjo ditë shënon edhe ngjarje të tjera të rëndësishme për shqiptarët.
Në këtë datë të vitit 1955, në Prekaz të Skenderajt, lind komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Më 28 Nëntor 1997, UÇK-ja shfaqet publikisht për herë të parë si entitet i organizuar, duke luftuar për lirinë e Kosovës.
Për lirinë e Kosovës, Adem Jashari dha jetën e tij, dhe jo vetëm atë. Në këtë betejë të vërtetë historike, 59 familjarë të Jasharëve mbetën të vrarë.