Të paktën 31 të dënuar janë gjetur të vdekur në një burg në jug të Ekuadorit, 27 prej tyre të varur në litar. Viktimat janë rezultat i një përplasjeje të dhunshme mes bandave rivale në burgun “El Oro”, në qytetin Maçala, që shpërtheu të dielën.
Sipas autoriteteve, 30 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e akteve të dhunës. Oficerët e sigurisë, që hynë në burg disa orë më vonë, gjetën fillimisht katër trupa të pajetë dhe më pas të tjerët, të varur në katin e tretë të godinës.
Burgjet e tejmbushura të Ekuadorit janë prej kohësh skena të përleshjeve të dhunshme midis bandave, të cilat kanë shkaktuar qindra viktima gjatë viteve të fundit.
Shërbimi i burgjeve të vendit njoftoi se përplasjet e fundit u shkaktuan nga planet e autoriteteve për të zhvendosur disa të dënuar në një burg të ri. Më herët këtë vit, qeveria e presidentit Daniel Noboa kishte njoftuar ndërtimin e një burgu të ri të sigurisë së lartë në provincën Santa Elena.
Struktura e re, e quajtur “El Encuentro”, pritet të hapet në fund të muajit dhe do të pajiset me teknologjinë më të avancuar të sigurisë.
Bandat e burgjeve kanë luajtur për vite me radhë një rol kyç në rritjen e kriminalitetit të dhunshëm në Ekuador. Dy prej tyre, “Los Lobos” dhe “Los Choneros”, u shpallën organizata terroriste nga Departamenti Amerikan i Shtetit në shtator.