Fjalosja që nisi për vendosje të kamerave të sigurisë përfundoi me të shtëna me armë zjarri.
Të hënën mbrëma, në kryeqytet u plagos një inspektor policor ndonëse rasti s’lidhet me detyrën e tij zyrtare.
Personi që plagosi u arratis nga vendi i ngjarjes veçse arma që përdori ishte pa leje.
Kështu të paktën tha policia në raportin 24 orësh.
Armën pa leje për vrasje e përdori edhe 31 vjeçarja në Majac të Podujevës pasditen e së dielës, ku vdiqën tre persona.
Pos këtyre, një tjetër vrasje ndodhi të shtunën në Klinë, ku u vra personi me inicialet F.I, e plagët vdekjeprurëse ia shkaktoi vëllai i tij, J.I
Revolen pa leje për vrasje e përdori edhe N.Z para një javë në Gjakovë.
Kësisoj, brenda shtatë ditësh në vend u vranë pesë persona e u plagos një tjetër.
Avokati Asdren Bytyqi thotë që ndëshkueshmëria e ulët nga institucionet po ndikon që të përdorën armët pa leje.
“Janë dy aspekt,e para është që ndëshkueshmëria për këto vepra jo gjithmonë është e rëndë rrjedhimisht është e tolerueshme sidomos për herët e para kur personave u kapen armë pa leje dhe kjo mund të inkurajojë mbajtjen e armëve pa leje duke pasur parasysh pasojat jo të rënda që kalojnë me gjobë”, ka thënë Bytyqi.
Bytyqi vlerëson që duhet ashpërsim i ndëshkimit sidomos për shitësit e armëve.
“ Ndëshkueshmëria për shitësit e armëve pa leje përkatësisht për kontrabantuesit duhet të ishte më e ashpër natyrisht për persona duhet të shikohen të gjitha rrethanat se ku është përdorë arma”, ka shtuar Bytyqi.
Drejtori i Qendrës Kosovare për Siguri, Mentor Vrajolli, barrën e përgjegjësisë për vrasjet dhe armëmbajtjen pa leje e vendos tek shteti.
“mendoj që nuk është duke u bërë aq edhe në konfiskimin e armëve pa leje por edhe vetëdijesimin e qytetarëve për zgjidhjen e probleme duke zgjedhur mënyrën më ekstreme në këtë rast edhe ata do e kishin kuptu cilat janë këto metoda”, ka thënë Vrajolli.
Pikërisht për numrin e madh të rasteve së fundmi Policia ka intensifikuar bastisjet.
Kështu e konfirmuan këta të fundit në një përgjigje për televizionin Dukagjini teksa bën të ditur edhe numrin e armëve të ilegale të konfiskuara në vitin 2025.
“Rastet e fundit kanë dëshmuar se armët pa leje shpesh përdoren në incidente të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe tentativa për vrasje. Si reagim ndaj kësaj, Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet, bastisjet dhe operacionet në terren, duke konfiskuar armë të ndryshme dhe duke iniciuar procedurat ligjore ndaj personave të përfshirë, armë të konfiskuara gjatë vitit 2025 janë 1931”.
Policia e Kosovës e Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht kanë organizuar fushata, por ky problem nuk është zgjidhur asnjëherë plotësisht dhe vlerësohet se ende ka shumë armë pa leje në vend.