Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka kryer bastisje në dy lokacione në komunën e Zubin Potokut në kuadër të hetimeve për një rast kanosjeje të raportuar ditë më parë ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas njoftimit të Policisë, veprimet janë ndërmarrë pas pranimit të informacioneve dhe zhvillimit të hetimeve lidhur me rastin, ku i dyshuari është një mashkull kosovar i nacionalitetit serb, njofton Dukagjini.
“Sot janë kryer bastisje në dy lokacione të komunës së Zubin Potokut, ku
janë gjetur dhe konfiskuar katër armë të gjata të llojeve të ndryshme. Në njërin lokacion janë hasur tri armë, përderisa në lokacionin e dytë një armë. Dy nga këto armë kanë qenë me leje dhe dy tjera pa leje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje, Policia bën të ditur se personi i dyshuar për kanosjen ndaj ministrit në detyrë Sveçla aktualisht dyshohet se ndodhet jashtë Kosovës.
Armët e gjetura janë sekuestruar nga njësitë relevante policore, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive eventuale penale.