Përfundimi i afatit 48 orësh, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ, në adresën e Panelit Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtresa, ka sjellë shtatë ankesa.
Në mesin e tyre është edhe ankesa e Listës Serbe, e cila u përjashtua nga rezultati përfundimtar, pas votimit kundër të Vetëvendosjes e abstenimit të partive tjera shqiptare.
Përmbajtjen e saj e ka zbuluar Misioni i OSBE në Kosovë përmes një reagimi me shkrim.
“…Misioni thekson nevojën për respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve zgjedhore, si mjet për të siguruar siguri juridike dhe trajtim të barabartë për të gjithë garuesit zgjedhorë. OSBE-ja do të vazhdojë t’i monitorojë zhvillimet nga afër.”- Misioni i OSBE në Kosovë
Përkundër refuzimit të ankimimit të mëhershëm si të pasafatshëm, anëtari i PDK-së prap ka kërkuar që të mos llogariten në rezultat, një pjesë e votave nga diaspora.
Bekim Haxhiu i cili dështoi të bëhet deputet, i ka shpjeguar në ankesë arsyet e insistimit të tij, që nga rezultati të largohen mijëra vota.
“Objekti: Ankesë kundër rezultateve përfundimtare të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më datë 31 janar 2026, për shkak të përfshirjes në rezultatet zgjedhore të 23.323 pakove me fletëvotime me postë, nga votimi jashtë Kosovës, të cilat janë pranuar dhe administruar pas afatit ligjor të paraparë në nenin 96 paragraf 2 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe si të tilla të pavlefshme.”- Ankesa e Haxhiut në PZAP
Argumentimi i Haxhiut është i ngjashëm me atë që ishte refuzuar më parë, e ku PDK kishte pretenduar se votat me postë janë pranuar pas të gjitha afateve të përcaktuara me ligj dhe nga KQZ-ja.
Tjetra ankesë e Haxhiut kërkon anulimin e shpalljes së rezultateve përfundimtare për shkak të llogaritjes së gabuar të rezultatet, kjo sigurisht për shkak të votave me postë që Haxhiu pretendon se janë llogaritur jashtëligjshëm dhe duhet të hiqen nga rezultati përfundimtar.
Për këto ankesa PZAP-ja ka 96 orë kohë që të vendosë, ndërkohë palët kanë të drejtë të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, e cila duhet të marr vendim brenda 5 ditësh, për t’i hapur rrugë pastaj certifikimit të rezultatit.