A duhet të befasohemi nga rëniet e blloqeve të Termocentraleve gjysmëshekullore?

Javëve të fundit nuk janë të rralla njoftimet për rënien nga prodhimi të ndonjërit prej blloqeve në dy termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Derisa për vitin që shkoi ende nuk është publikuar raporti, sipas atij paraprak, më 2024 pesë njësitë prodhuese të “A”-së dhe “B”-së, ishin ndalur gjithsej 45 herë, prej tyre 32 herë ishin të paplanifikuar apo rënie nga prodhimi.

Ndërkaq, më 2023 këto njësi ishin ndalur gjithsej 47 herë, prej të cilave 38 ishin rënie nga prodhimi ose ndalesa të paplanifikuara.

Tri njësitë e termocentralit “Kosova A” tashmë kanë tejkaluar gjysmë shekulli prej kur janë funksionalizuar.

Blloku A5, që është më i riu në këtë termocentral, tashmë ka hyrë në vitin e 51-të të punës – pasi ishte vënë në funksion më 1975. Ndërsa edhe më të vjetra janë dy njësitë tjera, A3-shi që mbush 56 vjet dhe A4-shi 55 sish.

Vetë Strategjia Kombëtare e Energjisë përmend si shqetësim vjetërsinë e njësive të “A”-së duke saktësuar se ato “janë në fund të jetëgjatësisë së tyre teknike”.

Ndërkaq, edhe “Kosova B” që kishte nisur punën në dekadën pasuese, është në afërsi të mesatares së jetëgjatësisë së termocentraleve me thëngjill – që varësisht modeleve dhe teknologjisë sillet deri rreth 40 vjet, me raste deri në 50.

Njësia B1, e funksionalizuar 1983, tashmë ka hyrë në vitin 43 të punës, ndërsa B2 është një vit më e re.

Përkundër vjetërsisë dhe problemeve me besueshmërinë, dy termocentralet përbëjnë “boshtin kurrizor” të prodhimit vendor të rrymës.

Besnik Boletini nga organizata “Çohu”, e cila ndër vite ka kryer hulumtime lidhur me KEK-un, theksoi se situata aktuale është pasojë e mungesës së guximit për investime në kapacitete të reja.

“Janë si pasojë e mungesës së vendimeve strategjike për politikat e energjisë. Nëse ju kujtohet në vitin 2006-07 ka filluar studimi i fizibilitetit Kosovën e Re, janë ndryshuar kapacitetet, u bë pa studim, nuk është ndërtua asgjë. Pastaj kanë filluar opsionet tjera, ka qenë ideja e gazit, nuk është bë asgjë. Do të thotë ka munguar një vendim i madh strategjik, i cili e zgjidhë çështjen e energjisë elektrike”, ka thënë – Besnik Boletini, Organizata “Çohu”.

Përkundër që institucionet përgjegjëse ishin dhe janë në dijeni të vjetërsisë dhe pasojave, Boletini tha se ato nuk morën vendime dhe veprime për zgjidhje.

“Ajo që është diskutuar në vazhdimësi është se përveç që nuk kanë qëndrueshmëri operative, kanë edhe ndotje shumë të madhe të mjedisit, prandaj është e domosdoshme që krijohet një alternativë e re”, ka thënë – Besnik Boletini, Organizata “Çohu”.

Qysh dekadën e kaluar, qeveri të ndryshme kishin diskutuar për dekomisionimin e një pjesë të termocentralit Kosova A, por në mungesë kapacitetesh të reja ishin tërhequr nga kjo ide.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika