Tri partitë më të mëdha në vend, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë nisur bisedimet për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa afatit kushtetues po i afrohet fundi.
Deputetët duhet të zgjedhin kreun e shtetit deri më 4 mars, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Qëndrimi i Kurtit
Kryeministri Albin Kurti, pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e pranoi se situata “nuk është e lehtë”, por theksoi se do të bëhen përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet e reja për shkak të moszgjedhjes së presidentit.
Ai deklaroi se aktualisht as LVV, as LDK dhe as PDK nuk kanë një kandidat zyrtar.
Sipas tij, me votat që ka LVV dhe partnerët nga komunitetet joserbe mund të sigurohen nënshkrimet për dy kandidatë, por për zgjedhjen synohet jo vetëm pragu minimal prej 80 votash, por rreth 85, për të shmangur rrezikun e dështimit në rast mungesash.
Qëndrimi i PDK-së
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesë kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar.
Ai rikujtoi se për të qenë kandidat duhen së paku 30 nënshkrime deputetësh dhe duhet të jenë dy kandidatë të propozuar. Po ashtu, në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë që votojnë. Sipas tij, aktualisht nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare të deponuar në Kuvend.
I pyetur nëse PDK do ta mbështeste presidenten aktuale Vjosa Osmani për një mandat të dytë, Hamza u shpreh se edhe nëse sigurohen nënshkrime të mjaftueshme, kjo nuk nënkupton automatikisht mbështetje nga PDK.
“Unë thashë që PDK nuk i ka numrat e mjaftueshëm që me dhënë kandidatin e vet, duhen edhe tetë. Edhe nëse i ka të siguruara ajo [Vjosa Osmani] tetë, prap nuk e ka të garantuar që i merr nënshkrimet e PDK-së”, deklaroi Hamza në Debat Plus të hënën.
Qëndrimi i LDK-së
Abdixhiku tha se ekzistojnë vetëm dy rrugë, ose arrihet konsensus politik mes faktorëve kryesorë, ose një marrëveshje klasike politike mes partive.
Në të dy rastet nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve. Ai theksoi se fillimisht duhet dakordim për procesin, e më pas për emrat konkretë.
“Nuk kemi folur për emra. Fillimisht duhet të zgjedhim rrugën, ose marrëveshje politike ku partitë bëhen bashkë dhe përcaktojnë presidentin e ardhshëm ose konsensusi, ku shikohet një kandidaturë përtej marrëveshjes politike, më pas vijnë emrat”, deklaroi ai të hënën.
Kujtojmë se LDK-ja ia pati bërë kuorumin presidentes aktuale kur e ka fituar mandatin e parë, në prill të vitit 2021.
Për secilën kandidaturë për president duhet të sigurohen së paku 30 nënshkrime të deputetëve.
Aktualisht, kryeministri Kurti ka 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 vota nga 120 deputetë sa janë gjithsej.
Nëse në dy raundet e para asnjë kandidat nuk arrin t’i marrë 80 vota, atëherë në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota për t’u zgjedhur presidenti.
Megjithëse posti i presidentit ka rol kryesisht ceremonial, mosrespektimi i afateve kushtetuese ka pasoja serioze.
Nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi obligohet të shpallë zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.