EULEX-i vazhdon të mbetet i përkushtuar në ndriçimin e fatit të të zhdukurve

Derisa Kosova shënon Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka ritheksuar përkushtimin për të vazhduar mbështetjen për Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në përpjekjet për ndriçimin e fatit të 1 mijë e 620 personave për të cilët ende nuk dihet asgjë

EULEX-i së bashku me IML-në, aktualisht është i angazhuar në mbështetjen e autoriteteve dhe homologëve nga vendi me ekspertizë të specializuar në fushën e operacioneve në terren, në një sërë lokacionesh për të cilët urdhrat gjyqësorë janë ende në pritje.

Ky mision, gjithashtu, është i angazhuar në kërkimin e varrezave të reja klandestine të mundshme, çka mund të shpjerë në identifikimin e personave të tjerë të zhdukur, dhe rishikimin e mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës, thuhet në komunikatë të EULEX-it.

Paslufta në Kosovë

Rishikimi i mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës koordinohet nga një grup punues i udhëhequr nga ekspertët mjekoligjorë të IML-së, në bazë të strategjisë dhe planit të veprimit të grupit punues 2021-2023.

Qëllimi kryesor është rishikimi i të gjitha mbetjeve njerëzore që ruhen në morg si dhe i dosjeve të ndërlidhura, dhe përcaktimi i statusit të të gjitha rasteve që përfshijnë: rastet e ndërlidhura me konfliktin e që janë të interesit mjekoligjor, rastet e interesit mjekoligjor të cilat nuk janë të ndërlidhura me konfliktin, dhe rastet që nuk janë të interesit mjekoligjor.

Sipas EULEX-it, procesi i rishikimit, i cili tashmë është në vijim e sipër, deri më tani ka rezultuar në dorëzimin e mbetjeve mortore të shtatë personave të zhdukur nga masakra e Krushës së Vogël te familjarët e tyre.

Antropologia mjekoligjore e EULEX-it, Luísa Marinho, ka thënë se puna me mbetjet mortore të paidentifikuara është proces shumë sfidues, i cili kërkon përkushtim dhe këmbëngulje nga të gjithë ekspertët e përfshirë.

“Ne do të ndërmarrim një qasje më strategjike dhe do t’i shterojmë të gjitha mjetet hetimore mjekoligjore për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur, që aktualisht janë nën përkujdesjen e IML-së,” ka deklaruar Marinho.

Duke folur për strategjinë dhe planin e punës 2021-2023, Marinho është shprehur se aty janë të përfshira dy strategji, që kanë potencial të lartë për të ndihmuar për identifikimin e disa mbetjeve mortore të paidentifikuara.

“Strategjia e parë është kontaktimi i familjarëve të personave të zhdukur dhe kërkimi nga ta që të ofrojnë mostra të gjakut aty ku nuk ka, apo ku ato janë të pamjaftueshme për analiza të ADN-së.”

Lufta në Kosovë, 1999

”Kjo mund të shpjerë në përshtatje pozitive të ADN-së dhe në identifikimin e personave të zhdukur. Strategjia e dytë është adresimi i identifikimeve të gabuara, që kanë rezultuar nga procesi i quajtur ‘identifikim tradicional’, përmes përdorimit të ADN-së.”

Marinho, po ashtu, ka thënë se dy faktorët kryesorë që mund të pengojnë apo të parandalojnë identifikimin e mbetjeve mortore janë kushtet e ruajtjes së mbetjeve mortore, pra nëse ato janë të djegura apo shumë të fragmentuara, dhe pamundësia për marrjen e mostrave të duhura referente të gjakut për identifikimin e bazuar në ADN.

“Megjithatë”, shtoi Marinho, “teknologjia në fushën e ADN-së e cila po zhvillohet me shpejtësi mund të shpjerë në rezultate pozitive me përsëritjen e testimeve të pasuksesshme të disa mostrave të mëparshme të ADN-së.

Për fund, investimi në hulumtimet arkivore ndërkombëtare, me përpjekje të ripërtërira për qasjen dhe analizimin e informatave nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, dhe i të dhënave të organizatave të tjera ndërkombëtare, po ashtu mund të hapin shtigje të reja në hetimin mjekoligjor të disa rasteve.”

Që nga fillimi i mandatit e deri më sot, EULEX-i ka kryer 684 operacione në terren për gjetjen e vendndodhjeve të personave të zhdukur, përfshirë 181 zhvarrime. Janë identifikuar mbetje mortore të 477 individëve, përfshirë 332 persona të zhdukur, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Konjufca për masakrën e Mejës: Dëshmia më e pakontestueshme e gjenocidit serb mbi popullin e Kosovës

Shënohet Dita e të Pagjeturve, kujtohet masakra e Mejës në Gjakovë

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika