Kuvendi mban seancë, do të propozohet caktimi i Komisionit Hetimor për Energji

Gjatë seancës do të procedohen 40 nënshkrimet nga LVV-ja për formimin e komisionit hetimor për sektorin e energjisë

Salla e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës, të enjten e 28 prillit do të mbajë seancë plenare, ku në rend dite do të jetë propozimi i 40 deputetëve për caktimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Kjo pasi të mërkurën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se gjatë seancës plenare do të procedojë 40 nënshkrime për formimin e këtij komisioni.

Ndryshe nga kërkesa opozitare, mazhoranca do të përfshijë zgjerimin e hetimeve për sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë e deri në qeverinë aktuale.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se komisioni i propozuar nga ta do të jetë ndryshe nga ai i opozitës.

Sipas saj, ky komision përveç pikave të kërkuara nga opozita, do të përfshijë hetimin e sektorit të energjisë që nga shpallja e pavarësisë e deri në ditët e sotme.

Lidhur me këtë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se si parti opozitare do ta përkrahë themelimin e dy komisioneve hetimore për energji.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi

Ai për RTV Dukagjini, ka theksuar se është e çuditshme se si pushteti kërkon themelimin e komisionit hetimor.

“Së pari duhet të formohet komisioni hetimor i kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pastaj komisioni hetimor parlamentar i kërkuar nga pushteti, që është e pazakontë që pushteti të kërkojë komision hetimor parlamentar, sepse i ka mekanizmat e shtetit, i ka policinë, prokurorinë, gjykatat të cilat mund të bëjnë hetim kriminal”, është shprehur Gashi.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje përmes iniciativës së saj, po tenton ta zvarritë procesin e krijimit të komisionit të kërkuar nga opozita.

“Kjo është orvajtja e radhës e mazhorancës për ta bllokuar nismën opozitare, për ta bllokuar nismën e PDK-së, për ta zbardhur të vërtetën mbi keqmenaxhimin në sektorin energjetik”, ka thënë ai në një prononcim për RTV Dukagjinin.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala

Sipas tij, ligjshmëria e kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës është e padiskutueshme, andaj siç ka theksuar ai, çdo përpjekje mund të krahasohet me një lloj diversioni politik.

Gjatë kësaj seance, në rend ditë është edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare.

Po ashtu, do të bëhet zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve të tjera me shumicë.

Në rend dite do të jetë edhe zgjedhja e tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjithashtu edhe formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ndryshe, më 19 prill, kuvendi i Kosovës kishte dështuar t’i miratojë katër marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat ishin në rend dite në seancën e sotme.

Këto marrëveshje nuk janë hapur për votim, pasi partitë opozitare kanë lëshuar sallën e kuvendit si formë proteste që pozita nuk përkrahi një mocion, që do të fuste në rend dite formimin e komisionit hetimor parlamentar për situatën me krizën energjetike.

Kuvendi i Kosovës dështon në miratimin e marrëveshjeve ndëkombëtare, miratohen disa projektligje

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika