Ndalet greva e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, Prishtina ua rrit rrogën për 70 euro

Punëtorët e KRM "Pastrimi" kanë ndërprerë grevën, pasi Komuna e Prishtinës ka arritur marrëveshje që 500 punëtorët me funksione teknike të paguhen 70 euro më shumë nga muaji prill

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” kanë ndërprerë grevën gjatë mbrëmjes së 14 marsit, pasi Komuna e Prishtinës ka arritur marrëveshje që 500 punëtorët me funksione teknike të paguhen 70 euro më shumë nga muaji prill.

Këtë rritje pagash e ka bërë të ditur nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.

“Pas dy ditëve intenzive në ndërmjetësim me menaxhmentin ushtrues detyre dhe sindikatën e punëtorëve në KRM Pastrimi, e kemi një zgjidhje të pranuar në tavolinë. Greva e nisur e punëtorëve me kërkesën për rritje të pagës është ndërprerë mbrëmë në turnin e tretë”, ka theksuar Sahatçiu.

Ajo ka thënë se “kjo zgjidhje nuk e plotëson nevojën e punëtorëve për kompenzim meritor e kushte më të mira të punës, ashtu sikurse nuk e zgjidh problemin e menaxhimit të mbeturinave në Kryeqytet përgjithmonë. Derisa e drejta për grevë për paga më të larta është e drejtë e secilit, ndërprerja e tërësishme e shërbimit për të cilin paguhen nuk është e drejtë për qytetarët që kërkojnë shërbim”.

Sahatçiu ka cituar se pas takimeve sy më sy me të gjitha palët, komuna ka kërkuar që brenda një afati prej tre muajsh të pranojë propozimin me zgjidhje konkrete që rikthen “qëndrueshmërinë e munguar” në ndërmarrje dhe të sigurohen që rritet mirëqenia e secilit punëtor e secilës punëtore.

“Për të përshpejtuar procesin e mbledhjes së mbeturinave tashmë të grumbulluara disa ditë, kemi angazhuar ekipe me operatorë privat dhe kemi kërkuar mbështetje me kamionë nga njësitë e tjera të ndërmarrjes duke e rikujtuar që ndërmarrja i mbulon edhe komunat e tjera në rajon të Prishtinës”.

“Kryeqyteti nuk mund të vazhdojë pa fund të subvensionojë ndërmarrjen dhe të paguajë për shërbimet që nuk i pranon në nivelin e dëshiruar. Gjendja e fundit që vuri në rrezik edhe shëndetin e qytetarëve është e pa pranueshme dhe nuk guxojmë t’a lejojmë të përsëritet më”, përfundoi Sahatçiu.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” numëron 863 punëtorë, duke përfshirë edhe administratën.

Kjo kompani ofron shërbime në gjashtë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën, pastaj në Fushë-Kosovë, Lipjan, Drenas, Obiliq dhe Podujevë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika