Petkoviq kritikon Kurtin për qëndrimin rreth “vizitës eventuale” të Vuçiqit në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk do ta lejonte vizitën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Kosovë.

Kurti, në një intervistë në Rubikon më 30 mars, ka thënë se marrë parasysh rrethanat aktuale, Vuçiq nuk do të ishte person i dëshiruar në Kosovë.

“Nëse kemi parasysh njeriun, i cili thotë se masakra e Reçakut është fabrikim dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë, unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës”, ka thënë Petkoviq, shkruan REL.

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë.

Petkoviq ka thënë se Kurti “kot mburret, pasi nuk pyetet për diçka të tillë”.

“Kush është Kurti që ta përcaktojë dhe t’i japë leje për vizita në Kosovë presidentit Vuçiq, kur ka marrëveshje të nënshkruara që rregullojnë qartë këtë çështje?”

Sipas Petkoviqit, Kurti “ka frikë” nga vizita e presidentit Vuçiq, sepse “e di sa do të thotë kjo për popullin serb në Kosovë”.

Në mars të këtij viti, vetë Vuçiq ka thënë se shpreson që do të mund ta vizitojë Kosovën, deri në fund të vitit.

Në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet kanë arritur Marrëveshje për vizitat zyrtare, e cila ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2014.

Aty janë përcaktuar edhe afatet kohore se kur mund të dërgohen kërkesat për vizita dhe kur palët mund ta refuzojnë një vizitë të zyrtarëve të shtetit tjetër.

Për të gjitha këto, sipas marrëveshjes, BE-ja duhet të jetë e informuar.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e ShBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Më 18 mars, dy vendet janë pajtuar për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim, për të cilën, palët janë marrë vesh në parim më 27 shkurt në Bruksel.

Marrëveshja me 11 nene e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Shija e redaktorit

Aksioni i Policisë në veri, konfiskohen rreth 74 milionë dinarë

Policia e Kosovës ka shpalosur detaje shtesë lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditës së sotme në veri të vendit. Sipas njoftimit të Policisë së...

Melinda Ademi publikon projektin e ri “Kiss me”

Këngëtarja e njohur, Melinda Ademi, ka publikuar projektin e saj më të ri me titullin “Kiss Me”. Kënga e publikuar është me melodi dhe tekst...

Dafina dhe Ylli vazhdojnë t’i “trazojnë ujërat”, pozojnë me...

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, sot ka kapur vëmendjen e të gjithëve me postimin e saj të fundit në rrjetin social "Instagram". "Duar të bashkuara"...

Të fundit nga rubrika