Janez Jansha reagon pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut: Me sa duket rezultat i gjetjeve të hetimit të rastit Berishaj

Ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, vlerëson se aksioni i Policisë së Kosovës dhe arrestimi i drejtorit të KEK-ut, janë si rezultat i zbulimeve të bëra në rastin e skandalit në Slloveni, ku dyshohet të jetë i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka reaguar pas arrestimit të drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili po dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.

Me anë të një postimi në Twitter, Jansha vlerëson se aksioni i Policisë së Kosovës dhe arrestimi i drejtorit të KEK-ut, janë si rezultat i zbulimeve të bëra në rastin e skandalit në Slloveni, ku dyshohet të jetë i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“E fundit: Arrestimet dhe bastisjet e shtëpive në industrinë elektrike të Kosovës, me sa duket rezultat i gjetjeve të hetimit të rastit Berishaj – GENI – presidenti [Robert] Golob”, ka Jansha, teksa në postim e ka etiketuar Qeverinë sllovene.

Dyshimet për keqpërdorime me tenderë, i sollën të mërkurën hetues të policisë në zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Cak ishte bastisja e vendit të punës së drejtorit Nagip Krasniqi.

I gjithë aksioni u krye me urdhër të Prokurorisë Speciale, të cilët gjatë pasdites njoftuan për arrestimin e Krasniqit.

“Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Përveç zyrave të KEK-ut, Prokuroria njoftoi se bastisje u kryen edhe në dy banesa të Krasniqit në Prishtinë.

E në gjithë këtë aksion, u sekuestruan dokumente të ndryshme të cilat ndërlidhen me rastin, si dhe tre kompjutera, një llap-top, një celular dhe një USB.

Televizioni Dukagjini mëson se Krasniqi po dyshohet për përfshirje në keqpërdorime të mundshme në dy tenderë.

Njëri prej tyre ka të bëjë me një kontratë për renovimin e kaldajave në bllokun A5 të Termocentralit “Kosova A”.

Kjo kontratë ka vlerë 3 milionë e 490 mijë euro dhe u nënshkrua në fillim të këtij viti.

E i gjithë aksioni, që nga nisja e bastisjes në zyrat e KEK-ut, e deri tek arrestimi i Krasniqit, është përcjellë me disa situata.

Përgjatë bastisjes, Krasniqi është ankuar se nuk është mirë me shëndet. Kështu ai është dërguar për kontroll në QKUK.

Mirëpo, drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka konfirmuar për Televizionin Dukagjini se Krasniqi refuzoi të kontrollohet, duke u kthyer prapa me policët.

Nagip Krasniqi që prej emërimit si kryeshef i KEK-ut, është cilësuar si njeri i afërt me partinë në pushtet, Vetëvendosjen.

Për disa vite ai ka drejtuar Komitetin për Energji në këtë parti, kurse kryeshef i KEK-ut u zgjodh nga Bordi i përkohshëm, i cili ishte emëruar nga Qeveria Kurti. Krasniqi do të qëndrojë për të paktën 48 orë në ndalim para një kërkese të Prokurorisë për masën tutje të sigurisë ndaj tij.

Shija e redaktorit

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Të fundit nga rubrika