Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar, të premten një delegacion të Partisë Socialdemokrate (SP) nga Zvicra.
Ky delegacion përbëhej nga deputetët nacionalë, Fabian Molina dhe Mustafa Atici, deputeti komunal Reis Luzhnica, anëtari i Kryesisë së SP-së, Arbër Bullakaj, sindikalistët Osman Osmani dhe Florim Kadriu, sekretarja e grupit të SP-së për çështje të emigracionit, Lara Can, si dhe Urim Deva, delegat i këtij grupi.
Me këtë rast, Konjufca ka vlerësuar lart marrëdhëniet dypalëshe dhe ka falënderuar shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, që nga koha e paraluftës dhe në vazhdimësi.
Ai ka shprehur gatishmërinë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në rrafshin politik dhe ekonomik, duke theksuar se Republika e Kosovës e konsideron Zvicrën vend mik dhe partner të rëndësishëm në proceset e shtetndërtimit, zhvillimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Kryeparlamentari Konjufca, po ashtu ka përmendur Grupin e Miqësisë në kuadër të Kuvendit, rolin e mërgatës dhe kontributin e socialdemokratëve zviceran në forcimin e raporteve në mes të të dyja shteteve.
Socialdemokratët dhe deputetët zviceranë, pjesëmarrës në takim, kanë ofruar mbështetjen e shtetit të tyre për anëtarësimin e Kosovës në Shoqatën Evropiane për Tregtinë e Lirë(EFTA) dhe në Këshillin e Evropës(KE).
Në këtë takim janë shkëmbyer pikëpamje edhe rreth agresionit rus në Ukrainë, dhe është çmuar rreshtimi i Kosovës përkrah demokracive evropiane e botërore, në dënimin dhe sanksionimin e Rusisë.
Konjufca, gjatë ditës së somte ka pritur në takim edhe delegacionin e Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis, të cilët janë pjesëmarrës të Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane.
Sipas një njoftimi për media, kjo konferencë do të mbahet më 7 dhe 8 maj në Prishtinë, organizuar nga Akademia Diplomatike e MPJ-së dhe Ministra e Mjedisit.
Konjufca, siç thuhet në njoftim, ka vlerësuar marrëdhëniet e mira me shtetet arabe, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim konkret në fusha të ndryshme me interes për Kosovën, siç janë energjia, mjedisi dhe bujqësia.
Ndryshe, të enjten e pesë majit, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim delegacionin e SP nga Zvicra.
Në këtë takim, ata kanë biseduar mbi bashkëpunimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Partisë Socialdemokrate dhe Qeverisë së Kosovës, sidomos në fushat e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
“Si socialdemokratë nga të dy vendet do të fillojë bashkëpunimi më i madh për interesat dhe çështjet e përbashkëta”, është bërë e ditur në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti takon delegacionin e Partisë Socialdemokrate nga Zvicra