Janë vendosur kamera në afërsi të objektit të komunës së Leposaviqit.
Dukagjini sjell pamje nga momenti i vendosjes së tyre.
Më herët të shtunën, kryetari i kësaj komune, Lulzim Hetemi, u vizitua nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ky i fundit ka bërë të ditur se ka shprehur mbështetjen e tij për kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Në një fjalë për media pas takimit, Sveçla ka deklaruar se vështirësitë e tanishme do të kalohen, gjersa ka ritheksuar se Policia e Kosovës mbetet e Kosovës dhe vendi ku po vepron ajo është vetë Republika e Kosovës.
“Erdha e vizitova kryetarin e Komunës, i dëshirova punë të mbarë. Shpreha mbështetjen tonë e u pajtuam që ka nevojë të gjitha institucionet, qoftë vendore qoftë qendrore, të punojnë për të mirën e qytetarëve me iu shërby qytetarëve. Përkundër vështirësive ne jemi të bindur që të gjithë këto vështirësi do t’i tejkalojmë. Policia e Kosovës është Kosovës dhe këtu është Republikë e Kosovës”, ka thënë ai.
Një masë e tillë erdhi pasi banorët lokalë serbë kundërshtuan shkuarjen e tyre aty, në zyrat që dikur përdoreshin nga zyrtarë serbë.
Nën tensionet e situatës, protestuesit hodhën gurë, dogjën veturat e Policisë së Kosovës e njëherit, gjatë grumbullimit të tyre u dëgjuan të shtëna armësh. Këto veprime të tyre detyruan policinë që të përdorte gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit.
Megjithatë, të gjithë kryetarët e komunave veriore arritën që me asistimin e policisë të hynin brenda komunave.
Situatat e së premtes nxitën reagimet e ndërkombëtarëve, me ç’rast, të njëjtit shprehën shqetësimet dhe kritikat e tyre ndaj atyre që i quajtën “masa të dhunshme”.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çdo opsion tjetër i veprimeve të ndërmarra policore gjatë së premtes në veri, do të ishte një mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të komunave në veri dhe jo vetëm.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do të duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Ai ka thënë se mbetet i vetëdijshëm mbi shqetësimet e ngritura nga faktorët ndërkombëtarë.
